Ai do të luajë për Dritën në kampionin kosovar sezonin e ardhshëm, pasi dy klubet kanë arritur akordin për këtë lëvizje. Futbollisti nga Kaçaniku u bashkua verën e kaluar me blutë e kryeqytetit, por nuk gjeti hapësirat e duhura gjatë sezonit që lamë pas, ku numëron në total 300 minuta të shpërndara në 17 ndeshje.
Vetëm dy herë Tusha e ka nisur si titullar ndeshjen dhe 15 herë ka hyrë nga stoli. Në këtë situatë, pas mbylljes së kampionatit 21- vjeçari ka dashur të lëvizë për të gjetur një skuadër, ku mund të ketë një aktivizim të rregullt. Dhe kjo skuadër është Drita, që i ka bërë ofertë sulmuesit nën kontratë me Dinamon.
Marrëveshja mes Dritës dhe Dinamos për Veton Tushën është bërë që klubi blu të mbajë 10% të kartonit të futbollistit. Është një akord, nga i cili përfitojnë të gjitha palët. Dinamo “kursen” pagën e një lojtari që nuk luan dhe përfiton në të ardhmen, nëse ai shitet nga Drita. Kjo e fundit afron një element të rëndësishëm në merkato, po të kemi parasysh faktin se Tusha është pjesë e Kosovës U-21, kurse vetë sulmuesi mund të ketë minutat që nuk i pati në futbollin shqiptar. Më parë Tusha ka provuar të luajë në futbollin turk dhe atë polak, ndërsa para se të vinte te Dinamo ai ishte pjesë e Ballkanit.