Volejbollistja e njohur kosovare, Lorina Mehmeti, sivjet nuk do të mund t’i ndihmojë klubit të saj KV Drita, ngase ajo pritet që këtë tetor t’i nis studimet jashtë vendit edhe atë përtej Oqeanit Atlantik.
Lorina Mehmeti, një ish-nxënëse shembullore në Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ka fituar bursë për të studiuar në Kanada, andaj studimet për të do të jenë një sfidë e re, të cilën ajo gjithsesi se do t’a kalojë me sukses.
Kjo lojtare e nxënëse shembullore, siç thekson edhe vetë, ka fituar burse për të studiuar në Universitetin Ascenda në Kanada, në drejtimin menaxhmenti i hoteleve. Bursa kap shifrën e 10 mijë dollarëve.
“Unë pos mësimit në zemër e kam edhe volejbollin dhe gjithsesi se nëse më jepet mundësia do të luaj she shpresoj se do të jem pjesë e ndonjë ekipit të kolegjit në Kanada”, thekson Lorina Mehmeti, që shton se gjithsesi se më shumë do të fokusohet në studime, por se edhe në volejboll beson se do të ketë paraqitje të mira, ashtu siç i kishte në ekipin kampion KV Drita dhe në përfaqësuesen e Kosovës.