Pardje në Gjilan u mbajt mbledhja e tretë e Kuvendit të Komunës, ku një ndër pikat më kryesore të këtij Kuvendi ishte raport njëvjeçar i punës së Kryetarit të Komunë, me ç’ rast pasqyrohet e gjithë puna duke përfshirë edhe mënyra e shpenzimit të buxhetit nëpër drejtori e njësi të ndryshme që funksionojnë në kuadër të zyrës së Kryetarit. Natyrisht si për çdo pikë të rendit të ditës u hap diskutimi e që si zakonisht është opozita ajo që debaton në këtë Kuvend, sepse pjesa e pozitës si të shumtën e kohës se ka guximin për të kundërshtuar asgjë që i vjen nga ekzekutivi apo kryetari.
Pothuajse gjithë herë kemi kërkuar që raportimeve 6 mujore e njëvjeçare të punës t’u kushtohet më shumë kujdes dhe seriozitet, po pozita dhe vet ekzekutivi nuk qajnë kokën për këtë, pasi që për çdo çështje që duhet të votohet, në radhë të parë sigurojnë votat, kuptohet pa filluar Kuvendi e pastaj e sjellin gjoja në Kuvend për ta diskutuar. Diskutimi i pozitës në raste të tilla është i shkurtë me epitete e elozhe dhe gjithsesi me aprovim.
Ndonëse Kryetari i Komunë z. Lutfi Haziri me një përvojë të gjatë në politike, por edhe me një përvojë të disa mandateve në qeverisjen e komunës së Gjilanit, në vend se të jetë më i përgatitur e më i përgjegjshëm, ai gjithnjë e më shumë po jep shenja të injorimit të të gjithëve në Kuvend.
Ai edhe dje si edhe shumë herë të tjera, nuk priti as votimin e raportit të tij dhe pa asnjë arsyetim lëshoi seancën e Kuvendit.
Por për mua personalisht është brengosëse, por kjo duhet të jetë brengosëse edhe për qytetarët, të cilët tashmë për së dyti kanë votuar të njëjtin, ndërsa ky deri sa të merr votën e qytetarëve është në gjendje të jap çdo premtim, por në momentin që merr votën s’do të dëgjojë më për asgjë deri në mandatin tjetër të zgjedhjeve.
Për mua dhe për ne anëtarët e Lëvizjes ky është mandati i dytë në Kuvend, por raport më të dobët pune se këtë të vitit 2017, mua s’ më ka rënë të shohë.
Por kjo nuk është me e keqja, sa është brengosës komoditeti, mos kokëçarja, indiferenca e disa anëtarëve të Kuvendit nga pozita por edhe disa anëtarëve të ekzekutivit, përfshirë këtu edhe Kryetarin, se pavarësisht fakteve që mund të paraqes dikush dhe sado bindëse e të kapshme të jenë ato, vazhdojnë të mbrojnë vetëm versionin e tyre, qoftë edhe të gabuar.
Por në këtë raport të punës njëvjeçare të kryetarit, do të thosha me gabime të mëdha, pasaktësi e kopjime sa që mua është e pa imagjinueshme të aprovohet dhe votohet si një raport normal dhe i rregullt. Ky raport u aprovua me 22 vota për, ndërsa kundër ishin 13 vota të partive opozitare Vetëvendosje dhe PDK –ës.
Më poshtë po paraqes vetëm disa nga këto gabime, me theks edhe në paranë publike të taksapaguesve, qytetarëve të komunës sonë, për disa nga format e përpjekjeve për mashtrim si për anëtarët e kuvendit, ashtu edhe për qytetarët. Pra qytetarët le të gjykojnë vet e le të vlerësojnë. Natyrisht, raporti i punës së Kryetarit, si i plotë do të duhej të jetë qasshëm edhe në faqen e internetit të komunës nga çdo qytetarë.
Kështu p.sh. te raporti i Drejtorisë së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, kemi të paraqitur një tabelë për pagesat që u bëhen familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës,
Shih tabelën origjinale të marrë nga raporti:
Familjet | Periudhat | Shuma mujore | Gjithsej | Data |
15 | Dhjetor 2016 | 130€ | 1950 € | 28.02.2017 |
15 | Janar 2017 | 130€ | 1950 € | 09.03.2017 |
15 | Shkurt 2017 | 130€ | 1950 € | 12.04.2017 |
15 | Mars 2017 | 130€ | 1950 € | 08.05.2017 |
15 | Prill 2017 | 130€ | 1950 € | 08.06.2017 |
15 | Maj 2007 | 130€ | 1950 € | 14.06.2017 |
15 | Qershor 2007 | 130€ | 1950 € | 14.06.2017 |
14 | Korrik | 130€ | 1820 € | 11.08.2017 |
14 | Gusht | 130€ | 1820 € | 14.09.2017 |
Gjatë kësaj periudhe për Familjet e Dëshmorët dhe Invalidët Luftës pagesat janë kryer për muaj që kapin shumën prej 17.390 €
U lutem të gjithëve le të mbledhin shumat në tabelë dhe të shohin a është kjo shumë e saktë?
Sigurisht që jo, sepse shuma është 17290 €, pra, në këtë rast janë dhënë 100 € më tepër.
Shembulli tjetër është tabela për pagesat e qirave me gjendje të rëndë sociale.
Shih tabelën origjinale të raportit:
Pagesat e qirasë për familjet me gjendje të rëndë Sociale të rekomanduara nga Komisioni ad- hoc.
Familjet | Periudhat | Shuma mujore | Gjithsej | Data |
44 | Janar 2017 | 52 € -100 € | 3567 € | |
47 | Shkurt 2017 | 52 € -100 € | 3867 € | |
47 | Mars 2017 | 52 € -100 € | 3867 € | |
47 | Prill 2017 | 52 € -100 € | 3867 € | |
44 | Maj 2017 | 52 € -100 € | 3467 € | |
43 | Qershor 2017 | 52 € -100 € | 3387 € | |
43 | Korrik 2017 | 52 € -100 € | 3387 € | |
42 | Gusht 2017 | 52 € -100 € | 3287 € | |
40 | Shtator 2017 | 52 € -100 € | 3097 € | |
49 | Tetor 2017 | 52 € -100 € | 3037 € | |
1 | Nëntor 2017 | 52 € -100 € | 100 € |
Gjithsej pagesa për qira për periudhën janar- nëntor 2017 31.893 €
Komenti ynë: Pra, edhe këtu shuma e paraqitur në këtë raport është 31.893 €, por u lutem le të llogariten shumat në tabelë dhe këto do të japin një shumë tjetër të përgjithshme prej 34.930 €. Pra janë dhënë 3040 € më tepër se që janë raportuar.
Një shembull tjetër ku është gabuar edhe për numrin e kërkesave edhe për pagesat nga fondi i subvencioneve.
Shih tabelën e raportit dhe komentet e tyre të bëra nga raportuesit:
Paraqitje periodike për pagesat e realizuara nga fondi i subvencionit gjatë vitit 2017.
Tab:1
Mars | Prill | Maj | Qershor | Korrik | Gusht | Shtator | Tetor | |
Aprovuar | 65 | 66 | 37 | 34 | 21 | 14 | 32 | 46 |
Shpenzim | 6576 | 6490 | 3180 | 3440 | 1910 | 1350 | 3480 | 3770 |
Paraqitja tabelare e numrit të kërkesave të rekomanduara dhe aprovuara për ndihmë nga komisioni intern dhe shpenzimi i bërë në emër të tyre(viti 2017)
Tab:2
Viti | Kërkesa te aprovuara | Shpenzimi ne euro. |
2017 | 309 | 26.496 |
Gjatë vitit 2017 ndihmë për mjekim, me vendim të Zyrës së Kryetarit është akorduar për gjashtë(6) raste në vlerë totale prej 3700€.( paraqitja në Tab: Nr:3)
Tab:3
Viti | Kërkesa të ap. për mjekim nga ZK. | Shpenzimi në euro. |
2017 | 6 | 3700 |
Edhe këto vendime janë procesuar përmes DSHMS-së (ZSHSH) prandaj subvencionimi për mjekim si shumë e përmbledhur për vitin 2017 është 30.196€ dhe numri i kërkesave të aprovuara të kësaj natyre është 315.
Tabelë krahasuese mbi kërkesat e aprovuara dhe shpenzimin e bërë në emër të tyre për tre vitet e fundit krahasuar me vitin 2017.
Tab:4
Viti | Kërkesa të aprovuara | Shpenzimi në euro |
2017 | 315 | 30.196 |
2016 | 497 | 51.910 |
2015 | 476 | 47.970 |
2014 | 427 | 50.838 |
Komenti ynë është: Po të shihni tabelën e parë , pra nr.1 dhe llogaritjet e kërkesave të aprovuara, duke i llogaritur nga marsi deri në tetor, ku del nuk i kemi 309 raste, kërkesa të aprovuara, por 315. Ndërsa siç shihet te tabela nr.2 janë llogaritur 309 raste, ndërsa shuma nuk është 26.496 € gjithnjë sipas tabelës nr.2.
Pra shuma e vërtetë është 30.196 € për tabelën numër 2 dhe kur kësaj i shtohen edhe 5 rastet e aprovuara nga zyra e Kryetarit, del se kemi 321 raste, ndërsa shuma e përgjithshme është 33896 €.
Siç mund të shihet në komentin e raportit nën tabelën nr.4 , këtë shumë e përmend edhe raportuesi, por këtu ka llogaritur edhe 6 rastet e tjera të aprovuara nga zyra e Kryetarit, pra të gjitha bëjnë 315 kërkesa dhe shuma është 30.196 €.
Pra, nga të dhënat e ofruara vetëm nga një drejtori del:
- Te pagesat për familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës janë paguar 100 € më tepër, por s ‘figurojnë në raport.
- Te pagesat e qirasë për familje me gjendje të rëndë sociale te rekom. nga komisioni ad-hoc., kemi 3040 € më tepër por që nuk figurojnë në raport.
- Te pagesat e realizuara periodike nga fondi i subvencioneve për vitin 2017 janë pra 321 raste ose kërkesa ndërsa janë dhënë 700 € më tepër por, nuk figurojnë askund në raport.
Përfundim;
Nga të gjitha tabelat; 100 + 3040 + 3700 = 6840 € gjithsejtë të harxhuara për tepër, por nuk janë të raportuara, pra që nuk dihet për fatin e tyre, ose shtrohet pyetja çfarë është bërë me to?!
Ta zëmë dhe e kuptojmë se jemi njerëz dhe gabojmë, po a duhet të pranojmë gabimet? A duhet që një raport ku konstatohet se ka gabime e ku mungon raportimi për mijëra euro, a duhet të votohet? Për ne nuk ka dilemë që jo, por këtë s’do duhej ta lejonte askush e lëre më një Kuvend, i cili ka përgjegjësi për parat e qytetarëve dhe e ka për detyrë ta kontrollojë mënyrën e qeverisjes dhe mënyrën se si po harxhohen parat e tyre.
Pra nëse e ilustrojmë me një shembull të thjesht, nëse dikush u ka dhënë para për të blerë diçka dhe ju e keni paguar më shtrenjtë atë, ndërsa në faturë shkruan një çmim tjetër nga ai që keni paguar, del se ose ju jeni marrë vesh me shitësin ose shitësi ju ka mashtruar, por këtë mashtrim ju e keni të faturuar. A do të bindet porositësi t’ua nënshkruaj një faturë të tillë (në këtë rast Kuvendi ) që tua pranoj si faturë të rregullt, kur porositësit i keni harxhuar 6840€ më tepër dhe për to nuk keni asnjë dëshmi. Pra Kuvendi e ka votuar me 23 vota për këtë lloj fature, por pa Vetëvendosjen dhe PDK-ën
Kjo është tepër e pa përgjegjshme dhe e pafalshme dhe këtë duhet ta dinë qytetarët, se si disa përfaqësues të tyre në Kuvend janë pajtuar me këtë dhe e konsiderojnë krejtësisht në rregull.
Në këtë raport ka edh plot raportime të gabuara e shënime false e të kopjuara nga raportet e viteve të mëparshme, sidomos nga viti 2016. P.sh.
- te Drejtoria e Arsimit si nr. i përgjithshëm i nxënësve të shkollave të mesme, pra në kampus për vitin 2017 merret nr. i nxënësve nga raporti i vitit 2016.
- Disa punë të përfunduara në vitin 2016, paraqiten si të vitit 2017 (shembull: shkruhet se është përfunduar aneksi i shkollës fillore në Ponesh, donacion i USAID-it me participim të komunës, shih raportin e vitit të kaluar fq.31)
- Te donacionet, shumica e donacioneve të paraqitura në vitin 2016, paraqiten edhe si të vitit 2017, madje kemi edhe ngatërrime sepse donacionet e komunës së Bursës së Turqisë, në vitin 2016 ishin paraqitura si të Caritasit Zveceran.
- Kështu qëndron puna edhe me donacionet nga qeveria austriake, nga GIZ-i Gjerman, donacionet nga Banka Gjermane e Bashkësia evropiane të gjitha paraqiten si të vitit 2017, por në të vërtetë ato janë projekte dhe donacione të përfunduara në vitin 2016.
Këto janë vetëm disa nga faktet, të cilat e bëjnë skandaloz këtë raport të punës njëvjeçare të Kryetarit, por kolegët kanë edhe plotë vërejtje të tjera përmbajtëse. Dhe për fat të keq të të gjithë neve si qytetarë, ky raport si i tillë aprovohet. Për këtë edhe po reagojmë, ndonëse nuk jemi ekspert të statistikave e ekonomisë, por kjo nuk do të thotë që e hamë sapunin për djathë.