Gjilan, 24 qershor 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ku janë njoftuar për gjithë angazhimin që Komiteti për emergjenca dhe parandalimin e virusit Covid-19 në Gjilani ka bërë në përballjen me pandeminë globale.
Pas takimit, kryetari Haziri e ka falënderuar ministrin Zemaj, drejtorin Nazer Ramadani, deputetët për vizitën, derisa ka konfirmuar se gjithçka që shkon në funksion të organizimit, mbikëçyrjes dhe mbrojtjes së shëndetit publik ka qenë e koordinuar dhe menaxhuar në nivelin komunal por edhe regjional, nën bashkëpunim të vazhdueshëm me nivelin qendror dhe institucionet qeveritare.
“E njoftova ministrin Zemaj në detaje për gjithë angazhimin dhe punën që kemi bërë në fushën e parandalimit të pandemisë globale. Kemi marrë mbështetjen e ministrit për kujdes ndaj Gjilanit në sektorin sekondar apo regjional të shëndetësisë dhe gjithashtu edhe në atë primar. Angazhimi për parandalim do të jetë i vazhdueshëm për të menaxhuar rastet me Covid-19 dhe njëkohësisht edhe për trajtimin e tyre dhe parandalimin e përhapjes”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në adresimin para mediave, ka theksuar se angazhimi permanent është që gjendja në përballjen me pandeminë globale të jetë nën kontroll.
“Jam sot këtu që nga afër të njoftohem me angazhimin dhe gjendjen e shëndetësisë publike në përgjithësi në rajonin e Gjilanit. Eshtë një punë shembullore që ka bërë shtabi i emergjencave në Gjilan në përballjen me pandeminë globale. Po angazhohemi vazhdimisht që qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës sa më parë t’i kthehen jetës normale dhe zhvillimore, ashtu siç i ka hije vendit. Janë të mobilizuara të gjitha kapacitetet që i ka Republika e Kosovës dhe në kuadër të kësaj në aspektin buxhetor do të mbështeten edhe komunat dhe institucionet shëndetësore për avancimin e politikave që ka Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ministri Zemaj.
Përndryshe, delagacioni së bashku me kryetarin dhe deputetët, kanë vizituar Spitalin Regjional dhe investimet që janë bërë atje, sikur që kanë mbajtur edhe takim pune në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik që mbulon gjithë regjionin e Gjilanit.