Gjilan

Zhvillime dramatike rreth buxhetit në komunën e Gjilanit

Në komunën e Gjilanit janë duke ndodhur zhvillime dramatike rreth miratimit të buxhetit të komunës së Gjilanit për vitin 2025.

Asambleja Komunale disa ditë radhazi është mbledhur për të shqyrtuar e miratuar buxhetin, por të gjitha rezultuan të pasuksesshme ngase nuk pati kuorum për të vazhduar mbledhja. Pas tyre kryetari i komunës, Alban Hyseni, vazhdimisht ka organizuar konferenca shtypi për të sqaruar se çfarë po ndodh, duke sqaruar pozitat e ekzekutivit, por edhe për atë se çfarë po bëjnë kuvendarët, shumicën e të cilëve nuk i ka nga veti.

Edhe partitë, që bashkërisht e kanë shumicën në Kuvend nuk është se po rrinë duarkryq edhe ato po organizojnë konferenca e po lëshojnë komunikata rreth qëndrimeve të tyre për buxhetin e vitit 2025.

Tashti janë shpeshtuar edhe thirrjet për mbajtjen e seancave. Këtë të mërkurë një e tillë u thirr në orën 10, e cila dështoi në mungesë kuorumi e në të pati edhe një performancë të VV-së, si në kohën kur ky subjekt politik ishte në opozitë në Gjilan.

Lëvizja Vetëvendosje, në Asamblenë Komunale të Gjilanit ka vendosur pankarta në të cilat është shkruar se sipas ligjit numër 03/L-040 të Vetëqeverisjes Lokale, neni 58 përcakton se kryetari i komunës propozon buxhetin vjetor për miratim në Kuvendin Komunal.

Krejt këtë dega e PDK-së në Gjilan, veprimet e VV-së në Gjilan, i kanë parë si një shenjë e mirë, ngase sipas tyre po përgatiten për rolin opozitar nga vjeshta e këtij viti.

“Çdo herë kanë dit me bo mirë opozitën, ndërsa për qeverisje krejt mbrapsht.

Gjilani ka nevojë për ndryshime të roleve të subjekteve politike. Nga vjeshta 2025, ata që dinë dhe munden do të qeverisin me komunën e Gjilanit, ata që janë veç për me fol, me u anku dhe me u viktimizu, do ta kenë rastin e mirë në katër vitet e ardhshme”, është thënë në PDK.

Në ndërkohë është paralajmëruar edhe një seancë urgjente e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e cila në bazë të zhvillimeve të deritanishme pritet që sërish të dështojë.

Për nesër, e enjte, Kushtrim Kadriu, kryesues i Asamblesë Komunale në Gjilan, i cili në këtë pozitë ka ardhur duke qenë këshilltari i vetëm i subjektit politik “Vatra”, ka thirrur një Seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale të Gjilanit, ku sipas tij, tema kryesore do të jetë miratimi i buxhetit të Komunës së Gjilanit për vitin 2025. Ai ka thënë se Kuvendi Komunal mbetet i përkushtuar për transparencë dhe vendimmarrje në interes të qytetarëve të Gjilanit.

Në këtë seancë pritet të marrin pjesë këshilltarët e LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe vetë kryesuesi që bashkërisht përbejnë shumicën, por mbetet e paqartë se si do të veprojë ekzekutivi në krye me kryetarin e komunës dhe këshilltarët e PDK-së.

Krejt çka dihet është se më 1 mars më vend për përmirësime nuk ka, andaj është e paparashikueshme se si Gjilani do të dal nga ky ngërq që është future tash e sa kohë./kryelajmi.com/

You Might Also Like