Futboll

𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐕𝐞𝐥𝐢𝐮 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐚𝐫ë𝐭 𝐞 𝐫𝐢𝐧𝐣 𝐭𝐚𝐤𝐨𝐡𝐞𝐧 𝐦𝐞 𝐟𝐮𝐭𝐛𝐨𝐥𝐥𝐢𝐬𝐭ë𝐭

Drejtuesit e rinj të klubit janë prezantuar para futbollistëve dhe shtabit teknik në një takim para fillimit të seancës së pasdites stërvitore.

Presidenti i klubit, ztr. Afrim Veliu ka përshëndetur nga afër të gjithë futbollistët dhe stafin teknik, teksa ka ofruar mbështetje maksimale në rrugëtimin e ri që është nisur.

“Motivin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj. Në sytë tuaj shoh shumë vullnet dhe dëshirë për ta shfaqur më të mirën të cilën dini ta bëni. Së bashku me aksionarët e tjerë dhe bashkëpunëtorët e mi do të përkujdesemi që klubi të orientohet në rrugën e duhur, prandaj dua nga ju që të impenjoheni maksimalisht në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje dhe çdo sfidë me të cilën do të ballafaqohemi. Ju falenderoj që keni qëndruar besnik klubit dhe ju pres në vazhdim që së bashku ta ngrisim klubin në nivelet më të larta”, tha Veliu para futbollistëve.

Ndërkohë, aksionarët e tjerë të klubit, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami ofruan garancion dhe stabilitet në organizimin e klubit. Ata theksuan gjithashtu se presin nga futbollistët të japin gjithçka nga vetja e tyre për t’i realizuar objektivat e klubit, ndërkohë që mbështetja e drejtuesve nuk do të mungojë aspak.

Në fund ata janë përshëndetur edhe nga tifozët e klubit, të cilët u kanë uruar mirëseardhje aksionarëve të rinj.

You Might Also Like