Gjilan, 5 korrik – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim kryesuesin e divizionit të Rotary Leadership Institute për Kosovë, Dr. Neshat Asllani.
“Rotary Club Kosova është organizatë me rezultate të admirueshme dhe ka bërë që shtrirja e rrjetit dhe organizimi i rotarianëve në Kosovë dhe regjionin e Ballkanit të jetë jashtëzakonisht e madhe dhe e fuqishme. Unë si njëri prej tyre, e falënderoj Rotary Club Gjilani për angazhimin dhe projektet e përbashkëta që kemi arritur t’i realizojmë, sikurse edhe me Prishtina International dhe me rotarianët kudo në Europë”, ka thënë Haziri pas takimit.
Haziri ka pranuar edhe mirënjohjen e nga Rorary Club Prishtina International për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e shumë projekteve në të mirë të komunitetit, ndërsa pohoi se 5 korriku në Gjilan do të shënohet si Dita e Rotarianëve.
“Dëshiroj t’ju them se 5 korrikun do ta shënojmë si Dita e Rotarianëve në Gjilan për shkak të vizitës dhe atribuimit që i japim dr. Neshatit për nderin e veçantë që na ka bërë me këtë vizitë dhe marrjen e mirënjohjes nga Rorary International Prishtina, që është nderë i veçantë dhe nga të cilët ne kemi përfituar projekte komunitare për për ujë të pijshëm në disa shkolla të Gjilanit. Besoj shumë që bashkëpunimi ynë do të rritet edhe më shumë në të ardhmen, në mënyrë që të punojmë në shpirtin dhe parimet e rotarianëve kudo në botë”, tha Haziri.
Kurse, kryesuesi i divizionit të Rotary Leadership Institute për Kosovë, Dr. Neshat Asllani, e ka falënderuar kryetarin Haziri, për të cilin tha se ka bërë shumë për Rotary.
“Kam nderin që jam në Gjilan, ku kryetari Haziri ka bërë shumë jo vetëm për Komunën, por edhe për Rotary. Ne themi që Rotary është rruga jonë drejtë të vërtetës. Në komunën e Gjilanit ne kemi shumë punë për të bërë sepse kemi një përvojë të mirë për projektet që janë bërë nga Rotari në këtë komunë”, tha Asllani.
Në fund, në mënyrë simbolike, Asllani ia vendosi kryetarit Haziri PIN’in e Rotary, duke thënë se ky e identifikon një lider rotarian.