Gjilan

Bashkëshortët nga Gllama e Bresalcit hapin burimin e radhës të ujit për banorët

Bashkëshortët e respektuar nga Gllama e Bresalcit, Haxhi Ramadan Muji dhe Haxhike Feride Hajdini Muji, kanë shënuar një tjetër sukses të madh humanitar duke hapur një burim të ri uji në mes të fshatit, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve.

Haxhi Ramadan Muji njihet tash e 16 vite si një humanist i madh, jo vetëm në rrethinën e Gjilanit por në mbarë territorin e Kosovës, duke qenë gjithmonë i gatshëm për t’iu dalë në ndihmë njerëzve në nevojë. Deri më tani, ai ka hapur në mënyrë vullnetare gjashtë çezme të ujit në lokacione të ndryshme. Kësaj iniciative me vlerë të lartë së fundmi i është bashkuar edhe bashkëshortja e tij, Haxhike Feride Hajdini Muji, duke finalizuar së bashku këtë projekt me rëndësi jetike për fshatin.

Ky investim është realizuar si parapërgatitje për shtëpinë humanitare, punimet e së cilës pritet të fillojnë shumë shpejt. Ky projekt do të financohet në mënyrë të përbashkët, ku 50% e mjeteve do të participohen nga vetë fshatarët, ndërsa gjysma tjetër prej 50% do të mbulohet nga Komuna e Gjilanit.

E lumtur për këtë kontribut, Haxhike Feride Hajdini Muji u shpreh: „Jam shumë e gëzuar dhe me shumë zemër e kemi hapur këtë burim të ujit për çdo njeri që ka nevojë ta shuajë etjen. Ky burim është për të ardhmen e fshatit, për rininë e saj dhe për çdo banor.“

Në anën tjetër, humanisti Haxhi Ramadan Muji theksoi se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa t’iu shërbesh njerëzve. „Nuk ka më kënaqësi të madhe dhe më humane se t’ju japësh ujë njerëzve. Këtë burim e kemi hapur me bashkëshorten për shtëpinë humanitare, të cilën shumë shpejt do të fillojmë ta ndërtojmë. Nuk do të ndalemi në asnjë moment, gjerësa të kemi jetën, për të mirën e çdo njeriu e çdo banori të fshatit e më gjerë. Po ashtu, nga zemra e falënderoj çdo njeri që ka kontribuar për hapjen e këtij burimi“, theksoi Muji.

E gjithë kjo vepër e çmuar bamirësie është realizuar në emër të Shoqatës Humanitare „Dora“ nga Gllama e fshatit Bresalc, nën moton tashmë të njohur: „Dora dhuron, Zemrat i gëzon“.

You Might Also Like