Pas stuhisë që goditi komunën tonë dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe në ekonomitë familjare, institucionet komunale të Vitisë po i ndjekin nga afër të gjitha zhvillimet dhe po qëndroj pranë qytetarëve të prekur.
Edhe sot kam vizituar disa nga zonat ku janë shkaktuar dëme, ndërsa në takim kam pritur qytetarë të shqetësuar, të cilët me të drejtë presin që dëmet e tyre të vlerësohen dhe të kompensohen. Si kryetar i komunës, do të jem zëri i tyre deri në realizimin e kësaj të drejte.
I bëj thirrje institucioneve të nivelit qendror që të ndërmarrin veprime urgjente dhe të sigurojnë fonde për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.
Dëmet janë të mëdha dhe tejkalojnë mundësitë financiare të komunës sonë, prandaj mbështetja e nivelit qendror është e domosdoshme.
Për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, kam nxjerrë vendim për formimin e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, i cili veç se ka filluar punën duke dalë në terren për evidentimin dhe vlerësimin e çdo dëmi të shkaktuar.
Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pësuar dëme në kulturat bujqësore, ekonomitë familjare apo prona të tjera, t’i raportojnë ato sa më parë pranë organeve kompetente të Komunës së Vitisë, në mënyrë që të përfshihen në procesin e vlerësimit.
Ju siguroj se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të jetë e angazhuar maksimalisht në mbështetje të çdo qytetari të prekur dhe nuk do të ndalet së kërkuari nga niveli qendror kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga kjo stuhi.A.Zuka




