Telegrafi kurorëzon projektin “Eksperti” pas Botërorit 2026, ndan çmimet kryesore për fituesit

Telegrafi organizoi me sukses eventin përmbyllës të lojës shpërblyese “Eksperti”, duke kurorëzuar një projekt gjashtë javor që shoqëroi Kampionatin Botëror 2026 dhe angazhoi mijëra adhurues të futbollit nga Kosova dhe më gjerë.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Telegrafit, partnerët e projektit Heineken dhe Exfis, si dhe të ftuar, ku u prezantuan rezultatet e arritura gjatë Kampionatit Botëror dhe u shpallën fituesit e çmimeve kryesore të lojës “Eksperti”.
Gjatë eventit u theksua puna intensive e Redaksisë së Sportit të Telegrafit gjatë Botërorit 2026, ku për herë të parë redaksia punoi në tri ndërrime për të ofruar mbulim të pandërprerë të ngjarjes më të madhe të futbollit.
Në kuadër të këtij organizimi u raportuan në kohë reale të gjitha 104 ndeshjet e turneut, u publikuan mbi 2 mijë e 100 artikuj, ndërsa u realizuan edhe më shumë se 100 video të shkurtra me analiza, histori dhe momentet më interesante të kampionatit. Gjithashtu, u prodhuan pesë podkaste speciale, ndërsa për 40 ditë me radhë Kampionati Botëror zuri vendin kryesor në ballinën e Telegrafit gjatë orëve të mbrëmjes.

Sipas statistikave të prezantuara, përmbajtjet e Botërorit në Telegrafi gjeneruan mbi 3.6 milionë klikime, duke konfirmuar interesimin e madh të lexuesve për mbulimin e këtij kompeticioni.
Një pjesë e rëndësishme e projektit ishte edhe loja shpërblyese “Eksperti”, e cila u shndërrua në një eksperiencë interaktive për tifozët e futbollit. Përgjatë gjashtë javëve, pjesëmarrësit patën mundësinë të parashikonin rezultatet e të gjitha 104 ndeshjeve të Kampionatit Botëror dhe të garonin për çmime të vlefshme.

Loja regjistroi mbi 7.500 përdorues aktivë, të cilët realizuan më shumë se 700 mijë parashikime gjatë gjithë garës. Përveç 18 fituesve javorë që u shpërblyen gjatë kampionatit, në eventin përmbyllës u shpallën edhe tre fituesit e çmimeve kryesore.
Çmimin e parë, një iPhone 17 Pro Max, e fitoi përdoruesi ‘Lirimismajl11’, vendi i dytë – një trotinet elektrik Segway – shkoi për ‘Armendlimani’, ndërsa çmimi i tretë, një PlayStation 5, iu nda përdoruesit ‘Ardian94’.

Fituesi Lirim Ismajli
Gjatë eventit u prezantuan edhe rezultatet e arritura në rrjetet sociale, ku përmbajtjet e dedikuara Kampionatit Botëror gjeneruan miliona shikime. Në Instagram u publikuan 158 postime fotografike që arritën 3.9 milionë shikime, ndërsa në Facebook 156 postime fotografike realizuan 5.6 milionë shikime.
Në fund të aktivitetit u shpreh mirënjohje për partnerët Heineken dhe Exfis, të cilët mbështetën realizimin e projektit “Eksperti” dhe kontribuuan në organizimin e lojës shpërblyese.
Me këtë event u përmbyll me sukses një nga projektet më të mëdha interaktive të Telegrafit gjatë Kampionatit Botëror 2026, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e mediumit për të sjellë jo vetëm raportim cilësor sportiv, por edhe iniciativa që e afrojnë audiencën me emocionet e futbollit./Telegrafi/




