Ndeshja Drita – Floriana pas 90 minutave lojë ka shkuar në vazhdime, ngase ndeshja ka përfunduar baraz 1:1, rezultat që ishte edhe në ndeshjen e parë të luajtur në Maltë.
Mysafirët të parët kanë rrezikuar nëpërmjet boshnjakut Dervishagiq në minutën e 10, por gjuajtja e tij nga largësia është devijuar dhe ka përfunduar mbi portën e Faton Malokut.
Në minutën 40, pasi është shërbyer nga mesi i fushës, sulmuesi i krahut Mbong, nga 17 metra me një gjuajtje të saktë në këndin e poshtëm të majtë ka mposhtur Malokun.
Në minutën 42, Drita ka mundur të pësojë edhe një gol, por Bermanin që shpërtheu nga e majta e ndali portieri Maloku.
Mysafirët e nisën më mirë edhe pjesën e dytë dhe u treguan më të rrezikshëm, por Drita pati një rast shumë të mirë në minutën 59, kur Igball Jashari kaloi dy futbollistë nga e majta, harkoi në brendi dhe Blerim Krasniqi gjuajti me kokë, por portieri mysafir ishte në vend.
Loja që nuk ishte e duhura bëri që kryetrajneri Ramadani të bëjë tre zëvëndësime, duke dashur që të freskojë ekipin. Në minutën 74 pasi është shërbyer nga Dabiqaj, Arb Manaj provoi me kthim, por gjuajti mbi portë.
Në 15 minutat e fundit Drita e shtoi presionin, kurse ekipi mysafir është tërhequr prapa dhe krejt kah fundi, pas një shpërthimi nga e majta e Ovoukës dhe harkimit në brendi, në minutën 88 Pëllumbi qëlloi nga afërsia dhe e futi topin në rrjetë për të barazuar 1:1./Kryelajmi.com/.




