OPINION

KUSHTETUTA MBI TË GJITHA

Shkruan: Dr. Flamur Hyseni
Bllokadat politike nuk zgjidhen duke e zhvendosur përgjegjësinë nga deputetët te Gjykata Kushtetuese. Përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit u takon 120 deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë mandat kushtetues të sigurojnë shumicën e nevojshme, të arrijnë kompromisin e domosdoshëm dhe të mundësojnë funksionimin e rregullt të institucioneve kushtetuese. Kur politikanët dështojnë ta ushtrojë këtë përgjegjësi, zgjidhja duhet të kërkohet gjithmonë brenda kufijve të Kushtetutës. Roli i Gjykatës Kushtetuese është ta mbrojë Kushtetutën dhe jo ta plotësojë ose ta zëvendësojë Kushtetutën.
Në rrethanat aktuale kushtetuese, nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese që ushtruesja e detyrës së Presidentes të vazhdojë ushtrimin e këtij funksioni deri në zgjedhjen e Kryetarit ose Kryetares së re të Kuvendit. Kushtetuta nuk përmban asnjë dispozitë që e ndërpret automatikisht ushtrimin e kësaj detyre në momentin e betimit të deputetëve. Përkundrazi, parimi i vazhdimësisë institucionale kërkon që institucioni i Presidentit të mos mbetet pa ushtrues të funksionit në asnjë moment. Përderisa Kuvendi nuk e ka zgjedhur ende Kryetarin ose Kryetaren e re, nuk është krijuar ende subjekti kushtetues që do të ushtronte përkohësisht funksionin e Presidentit. Për këtë arsye, vazhdimësia institucionale kërkon që ushtruesja e detyrës së Presidentes të vazhdojë ushtrimin e këtij funksioni deri në zgjedhjen e Kryetarit ose Kryetares së re të Kuvendit.
Në këtë kontekst, duhet pasur parasysh se Aktgjykimi KO124/25 i Gjykatës Kushtetuese, i datës 26 qershor 2025, nuk e ndryshoi nenin 66 të Kushtetutës. Me këtë aktgjykim, nenit 66 iu dha një kuptim i ri normativ, duke e shtrirë afatin kushtetues nga mbajtja e seancës konstituive edhe në përfundimin e konstituimit të Kuvendit. Ky përbën një interpretim krijues, i cili ngre pyetje serioze për kufijtë e kompetencës së Gjykatës Kushtetuese, sepse funksioni i krijimit të normave kushtetuese i takon pushtetit kushtetutëbërës dhe jo gjykatës.
Parimi i epërsisë së Kushtetutës është një nga shtyllat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo nënkupton se Kushtetuta mbetet burimi më i lartë juridik dhe se çdo akt juridik, përfshirë edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duhet të jetë në përputhje me të dhe nuk mund ta zëvendësojë, plotësojë ose ndryshojë përmbajtjen e saj normative.
Nëse ekziston mospërputhje ndërmjet tekstit të qartë të Kushtetutës dhe një interpretimi gjyqësor që i shton Kushtetutës një element të ri normativ, epërsinë e ka Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese nuk mund, përmes interpretimit, të ushtrojë funksionin e pushtetit kushtetutëbërës. Megjithatë, për sa kohë që Aktgjykimi KO124/25 mbetet në fuqi, interpretimi i dhënë në këtë aktgjykim përbën një standard të cilin institucionet nuk mund ta shpërfillin lehtësisht, edhe pse një interpretim i tillë nuk e ndryshon tekstin e Kushtetutës.
Për këtë arsye, debati juridik duhet të mbetet i mbështetur në tekstin e Kushtetutës dhe në parimin e epërsisë së Kushtetutës. Në një shtet kushtetues, zgjidhja e krizave politike nuk mund të arrihet duke krijuar norma të reja përmes interpretimit gjyqësor, por duke respektuar rendin kushtetues dhe duke ushtruar përgjegjësitë që Kushtetuta ua ngarkon institucioneve të zgjedhura.

You Might Also Like