Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e VIII të mbajtur sot, ka miratuar shtatë propozime të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, të udhëhequr nga drejtoresha Eljesa Rashiti.
Në kuadër të kësaj seance, janë miratuar dy propozim-vendime për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave komunale të destinuara për ndërtim. Në këmbim, Komuna përfiton 30 për qind të hapësirës së ndërtimit që i takon pjesës së saj të pronës, duke siguruar përfitime konkrete nga shfrytëzimi i pronës komunale.
Gjithashtu, është miratuar propozim-vendimi për sigurimin e 5,575 m² tokë në Lladovë për zgjerimin e varrezave të fshatit, duke adresuar një nevojë të kahmotshme të komunitetit.
Për mbrojtjen e natyrës, ripyllëzimin dhe rekreacionin, Kuvendi ka miratuar tri propozim-vendime për shpalljen e interesit të ligjshëm publik, me qëllim sigurimin e tokës në Zhegër, me sipërfaqe prej 7,032 m², në Lladovë, me 2,142 m², dhe në Stançiq, me 1,162 m².
Pjesë e vendimeve të miratuara është edhe ndarja e dy hektarëve pronë komunale në Zhegër për ndërtimin e Muzeut dhe Kullës “Agim Ramadani”, në funksion të ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të veprës së heroit.
Drejtoresha Eljesa Rashiti ka falënderuar stafin e drejtorisë për angazhimin dhe këshilltarët komunalë për mbështetjen e propozimeve.
Këto vendime synojnë përdorimin e pronës në funksion të zhvillimit të komunës, mbrojtjes së mjedisit dhe përmbushjes së nevojave të qytetarëve.





