Futboll

Talenti gjilanas Mesud Zymberi arrin marrëveshje me klubin francez Sporting Club Schiltigheim

Futbollisti 15-vjeçar nga Gjilani, Mesud Zymberi, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke nënshkruar një marrëveshje njëvjeçare me klubin francez Sporting Club Schiltigheim. Zymberi, i cili deri më tani ishte pjesë e Shkollës së Futbollit “Arbëria”, pritet ta zhvillojë më tej talentin e tij në futbollin evropian.

Para se të zgjidhte skuadrën e tij të re, Zymberi ishte në sprova për tri javë edhe te klubi tjetër francez, Strasbourg FCOSK 06, ku tregoi cilësi të larta në fushë. Paraqitjet e tij bindën të dyja skuadrat që të kërkonin menjëherë shërbimet e tij, por 15-vjeçari vendosi të përqendrohet te Sporting Club Schiltigheim.

“Për tri javë isha në sprova te këto dy klube, të cilat i falënderoj për mikpritjen dhe mirëkuptimin. Të dyja skuadrat ishin të kënaqura me paraqitjet e mia, por unë zgjodha Sportingun, duke konsideruar se ishte skuadër me projekte më të gjata dhe puna e tyre ishte kryesisht me futbollistë të rinj,” theksoi Zymberi pas arritjes së marrëveshjes.

Në rrugëtimin dhe transferimin e tij drejt Francës, një rol kyç ka luajtur xhaxhai i tij, Musli Zymberi, i cili i ka qëndruar pranë dhe e ka shoqëruar në çdo aktivitet gjatë periudhës së provave. “Është e vërtetë, agja im ishte ai i cili më ka njoftuar me këto klube. Në njëfarë mënyre ishte ura lidhëse dhe për këtë e falënderoj nga zemra për kontributin e dhënë,” u shpreh talenti i ri.

Pavarësisht moshës së tij, gjatë afatit kalimtar Zymberi kishte tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave kosovare, të cilat kishin shprehur interesim të lartë për ta pasur në radhët e tyre.

Përveç suksesit të tij në nivel klubesh, Mesud Zymberi është edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës U17, ku pritet të japë kontributin e tij në arenën ndërkombëtare dhe të konfirmohet si një nga shpresat më të mëdha të futbollit kosovar.

You Might Also Like