SPORTI

Rekordmeni i Guinness-it, Agim Agushi do të nderohet nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë

Rekordmeni botëror i Guinness-it në disiplinat e mbajtjes së topit me kokë, Agim Agushi, do të nderohet në një ceremoni të veçantë nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë. Ngjarja do të zhvillohet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 10:30, në ambientet e këtij institucioni historik.

Gjatë kësaj ceremonie, Agushi do t’i dhurojë muzeut certifikatën e tij të Guinness-it, e cila dëshmon arritjet e tij të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. Deri më tani, sportisti shqiptar numëron plot 20 rekorde të Guinness-it dhe 22 rekorde botërore.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, znj. Kozeta Halili, u shpreh se është një nder i madh për shtetin shqiptar që një figurë si Agim Agushi është pjesë e historisë sonë.
“Ky gjest fisnik përbën një vlerë të veçantë për institucionin tonë, duke dëshmuar se arritjet e shqiptarëve meritojnë të ruhen, të vlerësohen dhe t’u përcillen brezave të rinj. Do të jetë një kënaqësi dhe nder për ne t’i shprehim mirënjohjen tonë për këtë dhurim dhe e mirëpresim me respekt në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë,” theksoi drejtoresha Halili.

I emocionuar nga vlerësimi, rekordmeni Agim Agushi ka premtuar një spektakël unik për të pranishmit.

“Jam thellësisht i nderuar me këtë ftesë, pasi vjen pikërisht nga Muzeu Kombëtar. Në shenjë respekti për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë ceremonisë do të performoj mbajtjen e topit me kokë duke zhveshur 28 fanella,” u shpreh Agushi, duke iu referuar datës simbolike të 28 Nëntorit.

Ceremonia dhe performanca e tij pritet të jenë një gërshetim i bukur mes sportit, rekordit botëror dhe historisë kombëtare.

You Might Also Like