Në vigjilje të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit, në kuadër të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”, në ambientet e Shkollës së Mesme të Ultë “Selami Hallaqi” në Gjilan është nderuar figura e shkrimtarit të shquar të letërsisë sonë për fëmijë, Ymer Elshanit, i cili me pjesëtarët e familjes së tij ishte vrarë në luftën e fundit në Kosovë, ngjarje kjo e dhembshme, nga e cila mbijetoi vetëm një pjesëtare e kësaj familje, shkruan kryelajmi.com
Fillimisht Liridon Ismajli, drejtor në Shkollën e Mesme të Ultë “Selami Hallaqi” pasi ka përshëndetur të pranishmit, tha se kjo ngjarje kulturore po mbahet në prag të Festës së Flamurit dhe në kuadër të edicionit të shtatëmbëdhjetë të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit” .

Nxënës të kësaj shkolle kanë recituar poezi të shkrimtarit Ymer Elshani kanë kënduar këngë korale dhe kanë luajtur në piano, kurse për jetën dhe veprën e Ymer Elshanit ka folur Izet Abdyli, kryetar i Ars Club “Rifat Kukaj”, i cili ka thënë se Ymer Elshani u lind më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Kreu fakultetin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe një kohë të gjatë punoi në arsim. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane. U vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij.

Me një vlerësim për veprën e Ymer Elshanit “Kur vallëzojnë buzëqeshjet” është paraqitur kritiku letrar, Anton Nikë Berisha, I cili ka thënë se të merresh me letërsi për fëmijë është përgjegjësi e dyfishtë, ngase kush krijon e punon për fëmijë merret edhe me të tashmen edhe me të ardhmen. Për shkrimtarin Ymer Elshani ai ka thëë se ky shkrimtar ka lënë një trashëgimi të rëndësishme, kurse ndër veprat më të njohura të tij mbeten Çka ëndërrojnë lulet”, “Plaku me violinë”, “Unaza magjike”, “Ndodhitë e hundëkarotës”, “Guri i Çmueshëm”, “Kur vallëzojnë buzëqeshjet” etj.
Në fund nxënësit kanë bashkëbiseduar me mysafirët për krijimtarinë e Ymer Elshanit./kryelajmi.com/.






