Libri

HIJA IME

AGIM GJAKOVA –

HIJA IME

(Koha e parë)

Patën një herë një gëzim të madh se ma zunë hijen, unë po i shikoja në zgripc të kohës

lëmshit të shpirtit s’po m’ia gjenin fijen,

patën një herë një gëzim të madh

se ma shkelën hijen me këmbë dhe me pesë hunj ma ngulën në dhé,

unë po fishkëlleja nëpër dhëmbë dhe s’mundën të matnin

asnjë pëllëmbë të saj përbé,

patën një herë një gëzim të madh

se hijen me çarçaf ma mbuluan

veçanti, shenja, tallje, anekdota…

shkruan mbi të, shkruan e shkruan,

unë i këqyra fytyrat e tyre plot brenga

të gjitha shkrimet i kishte fshirë shqota,

e menduan pastaj si të ma zënë trupin

hije-tmerr me tërë mend u bëra atëherë!

MË THONË FJALË TË PA NGJYRË

Pareshtur bien flokët që i kisha si tel të fortë e ruana Zot mos të na dalin mendtë prej kreje, pa da më zbardhet mjekra e më kërcejnë kërcinjtë e ruana qiell mos të na nxjerrin ndoj bidat tjetër feje, pareshtur vijnë e më thonë fjalë të rrejshme pa ngjyrë e ruana zjarr mos të bëhem një ditë me dy fytyra!

Hijen e ke shokun më të ngushtë që nuk të shqitet deri në vdekje prandaj mundohu t’i afrohesh

sa më afër diellit

të kësaj të vështire jete!

HIRI I SHTËPISË SË DJEGUR

(Portreti i veteranit)

Fytyra e tij është një arë ku janë mbjellë farërat e historisë në kokë i ka rënë hiri i shtëpisë së djegur

në faqe vuajtja vragët ia ka shkrehur,

fytyra e tij është një lëndinë

ku janë selitë lulet e trimërisë

vetullat e kërleshura baruti ia ka kallë hapësirë e shpirtit i ndehet gjeregjatë në ballë,

fytyra e tij është një bjeshkë

ku janë brazduar istikamet e së ardhmes sytë i shkreptijnë dy gaca të ndezura të mërisë

mbi ta qerpikët e ngritur shpata të hakmarrjes

qe hapën rrugë nëpër shekuj

ngjarjesh

që i bënë strehë fatit të Shqipërisë,

kjo fytyrë e bronztë ngërthen dhjetë romane

njëqind gazeta, një mijë diskutime

nuk mund të përfshihet tamam

në asnjë format fotografie ngjyrat e saj janë malet, fushat,

madhësia, qielli

kujtim i shkruar me plumba, diçiturë lirie.

THESARI I EMRIT TËND NUK U GJET KURRË

Thesari i emrit tënd nuk u gjet kurrë

edhe pse stuhia shkretoi verën

edhe pse dimri erdhi pa borë

kur të buzëqeshin kaktuset

kur të qajnë lisat

do t’i jap ryshfet Perëndisë

me një email përshkënditës vetëtime

kurrë nuk qesh i lirë

edhe pse ende jam guximtar

dhe në thellësitë e mia

jehon zëri i një mijë ferreve

nuk dridhem nuk ëndërroj nuk tutem

zëri i gjykatësit nuk sjell frutat e parajsës

të më bëjë të shurdhër të më lërë pa përgjigje

diçka duhet të ekzistojë

që ngacmon vuajtjen

të mbizotërojë në pambarim.

NË PËRFYTYRIM TË MREKULLISË

Nuk e njoh e nuk dua t’ia dijë errësirës

as natën nuk e bëj ditë dhe as ditën

natë, nëpër vegime kalërojnë

buzëqeshjet e dikurshme që i lëshova kot dhe buzët

m’u thanë në pëshpëritje e në pritje

të thithnin pikat e shiut tek binte rrëshajë

as mirëdita as natën e mirë kambanave

që buçasin brenda kraharorit të zbuluar

askund fresk e koha e mbetur pezull

përçon ngjyrat e horizontit të përhumbur

shtrëngoj gotën dhe tund hapësirën

e pamatë që më gjarpëron përpara syve dhe

në përfytyrim të mrekullisë shtrihem

në kadifen e gjelbërimit të përjetshëm.

You Might Also Like