Gjilan, 12 prill 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune drejtoreshën e Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Refike Sulçevsi, me të cilën kanë biseduar për bashkëpunimin e ngushtë në Kornizën e Përbashkët të Vlerësimit (KPV), që është mjet i menaxhimit total të cilësisë që bazohet në Modelin e Ekselencës së Fondacionit Evropian për Menaxhim të Cilësisë brenda institucioneve.
Kryetari Lutfi Haziri ka ofruar bashkëpunimin e plotë të Komunës së Gjilanit për të përmbushur rekomandimin e Komisionit Evropian për shtetet anëtare dhe shteteve që kanë aspirata për anëtarësim, e që ka të bëjë me zbatimin KPV-së në strukturën e administratës publike për shkak të avantazheve të saj.
“Menaxhimi i cilësisë është pjesë e Reformës së Administratës Publike dhe kërkesë e vazhdueshme për shumë institucione nga Komisioni Evropian” ka thënë nga ana tjetër, Refike Sulçevsi, e cila ka bërë të ditur se do të bëhet trajnimi i punëtorëve të shtetit për Kornizën e Përbashkët të Vlerësimit.
Ajo tha se Korniza e Përbashkët e Vlerësimit është mjet i menaxhimit total të cilësisë që bazohet në Modelin e Ekselencës së Fondacionit Evropian për Menaxhim të Cilësisë.
“Pas disa vështirësive në të kaluarën, IKAP, në bashkërendim me Ministrinë e Administratës Publike, ka vendosur aplikimin e CAF-it në pesë pilot institucione të Kosovës”, ka thënë Sulçevci.