LAJME

Sylejmani: Haziri të dorëhiqet nga paaftësia për të udhëhequr komunën

Fehmi Sylejmani, ka thënë se premtimet boshe e demagogjike, mungesa e investimeve, degradimi i skajshëm i qytetit, paaftësia për të krijuar qeverinë lokale për të udhëhequr komunën dhe mos konstituimi i komiteteve për më tepër se pesë muaj nga zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar si dhe shumë defekte të tjera që po e përcjellin në vazhdimësi komunën e Gjilanit, kryekëput rëndojnë mbi kryetarin aktual Lutfi Haziri, të cilit tashmë taktizimet dhe justifikimet e tija të njëjta po dalin boje.

“Komuna e Gjilanit tashmë po përballet me telashe të ndryshme, duke filluar nga degradimi i skajshëm i qytetit, mungesa e projekteve ideore, mungesa e barnave esenciale, hapësirat e gjelbërta të pa-mirëmbajtura, pastërtia në qytet larg asaj të dëshiruarës, keqpërdorimeve të ndryshme në procedurat tenderuese, aktakuza e tre zyrtarëve të lartë komunal, mangësi dhe shkelje të ndryshme ligjore në arsimi, mungesa ujësjellësit dhe kanalizimeve në fshatra,

keqpërdorime dhe abuzime të ndryshme, mos trajtimi i duhur ndaj bujqve, e shumë e shumë defekte tjera.

Ku u tretën dhe u avulluan fjalët bombastike të Lutfi Hazirit, se do ta depolitizojmë arsimin. Sot arsimi është më së i politizuar se kurrë më parë dhe me një udhëheqje tejet dëshpëruese, humben orët mësimore me javë dhe askush nuk jep llogari, pranohen mësimdhënës mbi baza partiake e nepotiste, nuk shpallen me kohë rezultatet e konkursit, ndërpriten bursat për studentë , nuk ka shujta për nxënës, shkollimi falas për femra, ndërtimi i çerdheve, përveç një në Dardani, vendosja e kamerave në të gjitha shkollat, nuk ka investime ne kabinete shkollore, kopshte dhe hapësira gjelbëruese nuk po shohin qytetarët, se të gjitha klubet sportive do ta kenë buxhetin e ndarë vjetor, ndërkohë që jemi në fund të muajit të katërt dhe klubet sportive fatkeqësisht shumë pak kanë marrë nga ajo që ju është ndarë në kuvendin komunal, teksa ndarja e tyre më shumë është bërë në baza partiake, e ku kemi klube sportive që pikërisht për shkak të mos ndihmës financiare i kanë braktisur edhe garat, duke e shuar edhe aktivitetin e tyre sportive, përkrahje më e madhe bujqve dhe bizneseve e shumë e shumë premtime tjera.

Prandaj duke i parë këto defekte dhe premtime të parealizuara të kryetarit Haziri, që çdo ditë e më tepër po i bën dëm komunës dhe buxhetit të saj, Ne si Lëvizje Vetëvendosje kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme, si paaftësi për të menaxhuar komunën, meqë qytetarët gjilanas meritojnë një tretman dhe kujdes shumë më të mirë e veçmas vepra konkrete e jo retorikë boshe.

Qytetarët e kësaj komuna njihen si një nga taksapaguesit më të disiplinuar në Republikën e Kosovës, andaj edhe projektet duhet orientuar më shumë në dobi dhe shërbim të tyre dhe në zhvillim e prosperim të komunës. Gjilani ka mbet zorrë qorre e këtë më së shumti po e paguajnë qytetarët e kësaj ane si kundër edhe bizneset gjilanase”, ka përfunduar Sylejmani.

You Might Also Like