LAJME

Themelohen edhe katër komitete tjera

Gjilan, 24 prill 2018 / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka vazhduar me themelimin e komiteteve, trupa këto të cilat e ndihmojnë vendimmarrjen komunale në fushat përkatëse. Kësisoj, të martën janë themeluar Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komiteti për Zhvillim Ekonomik, Komiteti për Arsim dhe Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar.

Kryesues i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është zgjedhur Blerim Syla (LDK), ndërsa z/kryesuese – Sanije Matoshi (Nisma), kryesues i Komitetit për Zhvillim Ekonomik – Burim Berisha (LDK), z/kryesues – Shadije Rexhepi (LDK), kryesues i Komitetit për Arsim – Faton Bislimi (LDK), z/kryesues – Drita Maliqi (AKR), kryesues i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar – Artan Cani (LDK), z/kryesues – Valmira Arifi (Nisma).

LVV e PDK, dy subjekte këto që përfaqësohen në Kuvend Komunal me nga 6 mandate, kanë refuzuar të udhëheqin komitete, ndonëse siç ka thënë Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, kjo mundësi iu është ofruar edhe atyre.

Përndryshe, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se komitetet si trupa ndihmëse bëjnë punë të rëndësishme në kuadër agjendës së aktiviteteve të Kuvendit Komunal, sipas obligimeve dhe përgjegjësive që ka secili prej tyre në fushat përkatëse.

Dje janë themeluar pesë komitetet e para, ku po ashtu janë zgjedhur kryesuesit dhe z/kryesuesit, ndërkohë që do të vazhdohet me komitetet tjera, deri në përmbylljen e këtij procesi.

You Might Also Like