Ndeshja e Superkupës së Kosovës në Volejboll është zhvilluar këtë të enjte në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në të cilën janë përballur Drita, kampione e Kosovës dhe Kastrioti, fitues i Kupës së Kosovës.
Pas një ballafaqimi tejet interesant fituese ka dalë KV Drita, e cila ka ngadhënjyer me rezultat të pastër 3:0.
Me përkrahjen e Intelektualëve dhe të shumë shikuesve në sallë, Drita shumë lehtë e ka fituar setin e parë me rezultat 25:12, kurse edhe në setin e dytë ishte bindshëm më e mirë, kur ngadhënjeu me rezultat 25:18.
Seti më interesant ishte ai i treti, në të cilin u zhvillua një dramë e vërtetë dhe setin kanë mundur t’a fitojnë sa njëri ekip e sa tjetri, kurse në fund doli që Drita e pati përqendrimin më të mirë dhe ngadhënjeu me rezultat 31:29 për të fituar kështu tërë ndeshjen me rezultat 3:0.
Në këtë ndeshje janë dalluar të gjitha lojtaret që u futën në lojë si Prenga, Shabani, Kadriu, Mehmeti, Leka, Jaha e Hyseni, kurse dy trajnerët Lorik Ilazi dhe Valon Zymberi e kanë mbyllur me sukses edhe këtë kampionat, duke sjellë dy tituj.
Drejtues të FVK-së kanë ndarë medalje për finalistet si dhe Kupën për ekipin fitues.