ARSIMI

MENAXHIMI I KOHËS STUDENTORE – RAST STUDIMI

    Autore: Elitë Bardhi & Verona Huruglica – studente të vitit të tretë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan

Menaxhimi i kohës është i orientuar në ekonomizimin dhe shfrytëzimin racional të saj duke zhvilluar metoda dhe teknika të ndryshme për një shfrytëzim efikas. Shfrytëzimi efektiv i kohës sot ka një rëndësi të madhe sepse përcakton dështimin apo suksesin e individit qoftë në studimet e tij apo në planifikime të tjera.

Nevoja për të menaxhuar kohën është e domosdoshme e sidomos menaxhimi i kohës studentore, për të cilën vlen të kuptohet koha kalendarike dhe koha reale që mund të nënkuptoj një njësi kohore relative për shkak që sasia e kohës perceptohet nga individët si njësi kohore bazuar/udhëhequr nga ndjenjat tona, andaj rëndësia që ka kjo çështje na shtyu të merremi me hulumtimin e kësaj çështje.

Metodologjia e aplikuar për realizimin e këtij punimi ishte kombinim i burimeve primare dhe sekondare. Për grumbullimin e të dhënave primare janë përdorur pyetësorët e përpiluar dhe të dizajnuar specifika për t’iu përgjigjur objektivit kryesor të këtij punimi. Ky hulumtim është bazuar në pyetjet e parashtruara në pyetësor të formuluara si pyetje të hapura, të mbyllura/ të mbyllura ( të parakoduara) përmes përdorimit të figurave në formë të fytyrës, të cilat kishin për qëllim matjen e perceptimit të studentëve kryesisht përmes aplikimit të vetëvlerësimit të kënaqshmërisë së tyre me vet-menaxhimin e kohës së tyre gjatë studimeve.

Pyetjet kanë për qëllim identifikimin e saktë të çështjes së menaxhimit të kohës dhe problematikës së saj të cilën studentët do të duhej ta trajtonin si një mjet mjaft të rëndësishëm për të arritur rezultate më të mira në të ardhmen e afërt.

Realizimi i anketave në terren është bërë nga studentet e Universiteti ‘Kadri Zeka’, në dy komuna të Republikës së Kosovës :

a) Komuna e Gjilanit

b) Komuna e Ferizajt

Gjatë anketimit i jemi drejtuar të dy gjinive dhe grup moshës 18-24 vjeç. Anketimi me studentët është kryer në periudhën nëntor – dhjetor 2018. Profili demografik i mostrës tonë është: meshkuj (24 %) dhe femra (76%). Me një shpërndarje rajonale si në vijim: Ferizaj – Meshkuj (75%) , femra (25 %) dhe Gjilan – Meshkuj (5.2%), femra (94.7%)

Për shkak të numrit më të madh të studentëve në rajonin e Gjilanit, numri i respondentëve ka qenë më i madh në këtë rajon. Metodologjia e përzgjedhur u realizua me qëllim që të nxjerrë rezultate sa më reale nga studentët mbi menaxhimin e kohës së tyre gjatë studimeve.

Ideja për realizimin e kësaj ankete dhe këtij raporti është bërë me qëllim:

1) Për të arritur në përgjigje sa më të sakta nëse studentët menaxhojnë kohën e tyre sipas një plan-programi apo thjesht lejojnë që gjithçka të ndodh spontanisht në studimet e tyre.

2) Për t’i dhënë një pasqyrë reale studentëve se sa ata po i kushtojnë rëndësi menaxhimit të kohës së tyre gjatë studimeve.

3) Për ta tërhequr vëmendjen e studentëve drejt rëndësisë dhe nevojës për të menaxhuar kohën e tyre drejt arritjeve më të larta në studime, për të bërë intervenime konkrete dhe për të ndryshuar gjendjen aktuale të keqmenaxhimit të kohës.

Karakteristikat e mostrës

Mostra jonë karakterizohet me një shpërndarje të moshave, respektivisht 21% të të anketuarve përfshijnë moshën 18 vjeçare, 7% të moshës 19 vjeçare, 3% të tyre i takojnë moshës 20 vjeçare dhe pjesa tjetër 19% moshës 21-24 vjeç.

Shpërndarja demografike e respodentëve përbën 24% nga Komuna e Ferizajt dhe 76% nga Komuna e Gjilanit.

Analizë e rezultateve

48% e respodentëve treguan se qëndrojnë në rrjete sociale dhe në internet

4- 8 orë në ditë, 20% prej tyre 2-4 orë po aq sa prej tyre treguan se qëndrojnë mbi 8 orë, duke shikuar një pakicë mjaft e vogël u shprehën se qëndrojnë vetëm 20 minuta – 1 orë duke shfrytëzuar internetin. Në krahasim me shfrytëzimin e internetit një kohë mjaft e madhe doli se studentët shpenzojnë në gjumë ku 6% kalojnë nën 6 orë në ditë, 28% prej tyre 7 orë në ditë, 24% vetëm 8 orë, ndërsa mbi 8 orë 58% e tyre.

Kurse për leximin e literaturës studentore vërehet dukshëm një interesim i dobët nga ana e tyre.

* Fare pak – 46%

* Nën 1 orë – 18%

* Rreth 3 orë – 16%

* Mbi 4 orë – 20%

Gjatë ditës studentët një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre kalojnë me shoqëri. 44% të të anketuarve u shprehën se kalojnë rreth dy orë në ditë me shoqëri, kurse 28% të tyre mbi 4 orë. 16% të tyre kalojnë mbi 1 orë jashtë me shoqëri dhe vetëm 12% kalojnë gjysmë ore.

Sa i përket udhëtimit, rreth 64% të të anketuarve shprehen se udhëtojnë për në vendin ku ata/ato ndjekin studimet dhe 36% prej tyre banojnë. Të pyetur se sa kohë ju duhet për të arritur në shtëpinë e tyre 6% prej tyre shpenzonin 2 orë në ditë për të ardhur në Universitet për t’i ndjekur studimet, 24% udhëtojnë mbi 1 orë, 30 % të tyre shpenzojnë mesatarisht 45-60 minuta dhe një shumicë e konsiderueshme prej 40% shpenzojnë vetëm 10 – 30 minuta për të ardhur deri në Universitet dhe anasjelltas.

Koha nuk mund të menaxhohet asnjëherë në mënyrë perfekte duke u bazuar në orare dhe agjenda. Sigurisht që një planifikim në bazë të agjendave dhe orareve ndihmon shumë, por nuk mjafton. Kështu, duhet gjetur mënyra për të menaxhuar edhe kohën reale, e cila nuk varet aspak nga minutat por nga ajo çfarë ndjejmë apo bëjmë.

Një mënyrë më efiçiente për menaxhimin e kohës duhet të mbështetet tek elementet të cilat drejtojnë kohën reale, pra duhet të jetë një menaxhim i cili mbështetet në mënyrën e të menduarit të cilën individi vendos të shfrytëzoj kohën sepse shfrytëzimi i kohës vendos sesi udhëhiqet jeta e tij/saj.

Në këtë hulumtim konstatojmë se mbi 90% të studentëve shpenzojnë kot kohën e tyre gjatë ditës me aktivitete të cilat stërgjatën nga normativa e lejuar dhe e arsyetuar. Ky keqmenaxhim i kohës po ndikon që në mënyrë sistematike që koha të humbet dhe të ndikojë në zhvillimin jo të mirë të jetës akademike të cilën duhet që të zhvillojnë ata.

Duke parë që rreth 44% shfrytëzojnë 2 orë në ditë jashtë me shoqërinë, 48% prej tyre qëndrojnë 5-7 orë në internet, 29% prej tyre flejnë mbi 8 orë në ditë dhe përkundër kësaj 46% të tyre deklarohen se lexojnë fare pak literaturën studentore, na bënë të kuptojmë rolin dhe rëndësinë e madhe që ka një planifikim paraprak i ditës dhe shfrytëzimit të kohës. Si përfundim ky menaxhim i kohës duhet të udhëhiqet nga kuptimi, kontributi, rëndësia dhe balancimi i gjërave.

Ky hulumtim është bërë në kuadër të lëndës Bazat e shkencave shoqërore me metodologji.

 

You Might Also Like