Libri

ME DY VEPRAT E REJA TË LINDITË RAMUSHIT DUSHKUT

Nga edicioni i dhjetë i Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”

ME DY VEPRAT E REJA TË LINDITË RAMUSHIT DUSHKUT

Në ambientet e Shtëpisë së Librit e të Lexuesit – në Bibliotekën e re të Gjilanit, në kuadër të edicionit të dhjetë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, u paraqitën dy veprat e reja, btoaur brenda këtij viti, të shkrimtares gjilanase, Linditë Ramushit Dushkut.
Para krijuesve letrar nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Ferizaj, Prishtina e Kumanova, shkrimtari Sabit Rrustemi, në cilësinë e botuesit, vlerësoi prurjet e reja letrare të shkrimtares Linditë Ramushi Dushku, duke theksuar se, kjo krijuese, edhe si poete, edhe si romansiere, sjell prurje të reja në letërsi, duke dëshmuar një pjekuri artiistike po edhe një gxim krijues, që kësaj here vjen në shprehje sidomos te romani “Eva – njëra nga ato”, ku trajton fatin e një femre të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, që mjerisht, nuk ishte e vetmja.
Një shtjellim më të gjerë për poezinë e vëllimit ASHT GUSHT, e paraqiti kritiku letrar, Sherafedin Kadriu, ndërso për romanin EVA – NJËRA NGA ATO, folën, Mehmetali Rexhepi, poet, prozator e kritik letrar , Selvete Abdullahu, poete e publiciste si dhe Arsim Halili, poet e eseist, fjalën e të cilit, në mungesë të tij e paraqiti Xhezide Selimi.
Ishte vlerësim i të gjithë këtyre vlerësuesve se Linditë Ramushi Dushku, me dy veprat e reja të këtij viti, të cilat vijnë pas një pauze shtatëvjeçare nga botimi i librit të dytë të saj poetik, “Me sytë e ëndjes” ( 2012 ) shënojnë një ngritje të kënaqshme artistike në kkrijimtarinë letrare të kësaj autoreje të frytshme, e cila njëkohësisht përmes një angazhimi të pandërprerë në fushën e letërsisë, ka sforcuar edhe individualitetin e saj krijues.
Këtë eprimtari letrare, të tretën me radhë në kuadër të këtij edicioni, e drejtoi në mënyrën më të mirë, prof dr. Sadete Tërnava Osmani, kurse nga opusi letrar i kësaj shkrimtareje, disa nga poezitë e librit ASHT GUSHT, i deklamoi jashtëzakonisht bukur, Helenë Hajadari, studente e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
“Vjeshta letrare e Gjilanit”, që organizohet nga asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, vazhdon edhe gjatë dhjetorit, me dy veprimtari tjera letrare të këtij ediicioni, me 7 dhe 21 dhjetor, kur edhe i përmbyll veprimtaritë letrare të këtij viti.

You Might Also Like