OPINION

Si është dhe si duhet të jetë arsim në Kosovë?

ismajl Kurteshi Shkruan: Ismajl Kurteshi, deputet

                                        “Arsimi i juaj sot është ekonomia e juaj nesër.”

   Sado që lajmi i publikuar me 6 dhjetor 2016, se Kosova është  radhitur  e fundit, në mesin e 72 vende që morën pjesë në testin ndërkombëtar të PISA-së, e shqetësoj opinionin e gjerë në Kosovë. Ky rezultat për njohësit e gjendjes së arsimit nuk ishte i pa pritur.

   Kur në vitin 2009 Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjilanit, me vet iniciativë organizoj një test  nga kl. ll – lX, që kishte për qëllim të verifikoj nëse nxënësit e përfshirë në këtë test dinin  të lexojnë, rezultatet dolën të jenë tronditëse,  ishin identifikuan 260 nxënës që nuk dinin të lexonin, por atëherë askush nuk deshi të merrej me këtë problem. Në komunat tjera nuk u organizuan teste të tilla por me gjasë  gjendja ka qen e njëjtë, e kjo gjendje nuk duket se ka ndryshuar as sot.

    Testi i PISA-së ka zbuluar se 77% e 5161 nxënësve të testuar, në 225 shkolla të Kosovës,  nuk kanë qen të aftë ta kuptojnë dhe interpretojnë drejt atë që e lexojnë, e pa këto aftësi është e pamundur të arrihet çfarëdo qoftë në cilëndo fushë të jetës, kjo është shqetësuese.

  Kjo gjendje që vjen si pasoj e mungesës së angazhimit të duhur në fushën e arsimit, të të gjitha qeverive të pas luftës, ndërhyrjes së politikanëve në fushën e arsimit, për përfitime politik, personale ose grupore, për  vota ose blerjen të  përkohshme të paqes sociale.

 Kjo gjendje është edhe rezultat i bartjes së kompetencave nga profesionistët nëpër shkolla,  në duart e politikanëve si kryetarët e komunave.

 Edhe mungesa e  koordinimit të punëve në mes të Ministrisë së Arsimit dhe komunave e rëndon gjendjen, edhe ashtu të rënduar.

  Në këtë gjendje ka ndikuar edhe përfshirje e një numri të vogël të fëmijëve në çerdhe dhe arsimin para-shkollor, si dhe  programet  jocilësore,  kuadri shpesh i  papërgatitur sa duhet, mungesa e teksteve adekuate, vlerësimet e  brendshme joreale, mungesa  e disiplinës dhe llogaridhënies,  mungesa e hapësirave shkollore,  mungesa e kabineteve, laboratorëve si dhe hapësirave për aktivitete të lira.

Zhdukjen e institucionit të përgjegjësisë dhe mungesa e motivimit, e monitorimit, e dallimit të punëtorëve nga të pa punët dhe e vlerësimeve reale,  kanë  ndikuar në rënien e cilësisë në arsim.

 Kriteret e ulëta për pranim  në Fakultetet  publike. Pranimi dhe kalueshmëria pothuajse  pa kritere në kolegjet   private, ku studentët pranohen edhe  disa muaj pas fillimit zyrtar të vitit akademik, ku në vlerësimin e tyre ndikim të madh kanë pronarët e kolegjeve, të cilët kolegjin e kanë biznes,  përfundojnë me  cilësi të ultë.

 Nuk janë të rralla rastet kur në procesin mësimor janë identifikuar “mësimdhënës” me diploma të falsifikuara por nuk dihet ndonjë rast që ndaj të njëjtëve  është ndërmarr ndonjë mas.

   Në shkollat me mësim në gjuhën serbe në Kosovë hapur përdoren tekste shkollore  antikushtetuese e kompetentët heshtin edhe pse ligji i  obligon që t’i ndalojnë ato.

Për këtë gjendje  fajin e bartin shumë aktor që kanë punuar në fushën e arsimit gjatë viteve të pasluftës. Por përgjegjësi e veçanet bie mbi qeveritë, drejtorit komunale të arsimit, udhëheqjet komunale dhe drejtorit e shkollave  të cilat nuk kanë punuar mjaftueshëm ose nuk kanë ditur të punojnë si duhet për të arritur rezultate më të mira.

 – Kjo situatë në të cilën, bazuar në vlerësim e PISA-së, gjendet arsimi në Kosovë,  duhet të na shërbej si një moment kur ne  të gjithë e kuptojmë se cilësia në arsim nuk rritet me vlerësim jo real të nxënësve, as me deklarata pompoze të ministrave, e as me strategji të kushtueshme që  nuk prodhojnë rezultate të kënaqshme, as me kurikula që po i ndërrojmë ende pa i fut mirë në përdorim, as me tekste të pa përshtatshme shkollore, as me universitete të fushatave elektorale, e kolegje  me licenca  të dyshimta.

   Për të dal nga kjo situatë prindërit  duhet të bashkëpunojnë shumë më shumë se në të kaluarën me mësimdhënësit. Prindërit  nuk duhet të kërkojnë nga mësimdhënësit nota më të larta për fëmijët e tyre, por duhet të kërkojnë llogari nga mësimdhënësit në se fëmija  i tyre nuk e dinë tabelën e shumëzimit, nëse nuk dinë të lexojnë, nëse nuk është mbajtur ora e fundit e mësimit, në se mësimi praktik nuk  organizohet si duhet, në se arsimtari nuk ka mbajtur orë kujdestari ose mbledhje me prind.

Mësimdhënësit duhet ta kuptojnë se orari i tyre i punës është 40 orë në javë e jo 2-3 orë në ditë si që mendojnë disa.Ata duhet t’i rifunksionalizojnë aktivet profesionale. Ata e kanë obligim t’i motivojnë,  të mësojnë dhe t’i edukojnë nxënësit, t’i vlerësojnë realisht e jo të falin nota për ta mbuluar mospunën e tyre, sepse interesimi i  nxënësve dhe suksesi në  mësime varet kryesisht nga puna dhe sjellja e mësuesit. 

 Qeveria e Kosovës nuk guxon të kursej buxhetin në dëm të cilësisë në arsim, por as ta keqpërdor atë duke shtruar darka e dreka për përfitime elektorale. Synim i Qeverisë duhet të jetë, ngritja e cilësisë , furnizimi i shkollave me mjete pune, krijimi i kushteve për mësim tërë ditor etj.

 Drejtorit e shkollave, drejtorit komunale të arsimit dhe Ministria e Arsimit, duhet të sigurojnë respektimin e kritereve të punësimit bazuar në aftësitë profesionale, kurse mësimdhënësit e ri në të ardhmen duhet ta kalojnë s’paku një  vit në punë provuese, para se ta fitojnë statusin e mësimdhënësit të rregullt.

  Inspektorët e arsimit dhe mekanizmat tjerë profesional duhet ta përcjellin punën në secilën hallkë të arsimit, ta vlerësojnë atë me profesionalizëm dhe pa anime.

   Tekstet shkollore duhet të rikonceptohen, kurse tekstet antikushtetues duhet të largohen nga shkollat tona.

 Nxënësit duhet të orientohen bazuar në aftësitë e tyre personale dhe nevojat e tregut të punës.

  Më në fund vërtet duhet të fillojmë me mësimin praktik në shkollat profesionale që realisht mungon.

 Infrastruktura ligjore duhet t’i përcaktoj qartë kompetencat dhe përgjegjësit e secilës hallkë në sistemin e arsimit.

   Shkollave duhet t’i kthehen kompetencat dhe përgjegjësit. Drejtorët duhet të emërohen nga Këshilli i Shkollës, kurse personeli tjetër nga drejtori,  por  drejtori dhe mësimdhënësit duhet të jenë përgjegjës për suksesin e nxënësve. Ata duhet ta kuptojnë se nuk ka vende të garantuara të punës dhe as paga  të njëjta për të gjithë.

  Hapja e çerdheve duhet të bëhet prioritet nacional kurse hapja e paraleleve para fillore duhet të ndodh në të gjitha shkollat e Kosovës.

 Për nxënësit me aftësi të veçanta dhe për ata që janë më të dobët në mësime duhet të organizohet mësim shtesë.

 Orët e kujdestarisë dhe mbledhjet me prind duhet të jenë obligative.  Aktivitetet kulturore – edukative duhet të jenë pjesë përbërëse e punës në shkolla.

 Praktika e përcjelljes së nxënësve nga një klasë në tjetrën pa nxënien e njohurive të parapara duhet të rishqyrtohet.  Vlerësimi i jashtëm dhe ai i brendshëm nuk guxon të  dallojnë  mes veti.

 Për nxjerrjen e arsimit nga kjo gjendje e rënd nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve të shtetit, MASHT-i bashkë me DKA-të dhe ekspertët e fushës së Arsimit, duhet ta bëj  një plan operacional me detyra të përcaktuara mirë, me përgjegjës konkret dhe afatet të sakta kohore, kurse politikbërsitë që e sollën arsimin në këtë gjendje me politikat e tyre të gabuara, duhet t’i lirojnë pozitat e tyre.

 Edhe analiza e përvojave të huaja, sidomos bashkëpunimi me Shqipërinë është i domosdoshëm.

Ne duhet të bashkëpunojmë dhe kërkojmë  mbështetje profesionale nga çdo vend mik, por shkollën shqipe nuk mund ta bëjmë si duhet pa i bashkuar energjitë dhe dijen   e kombit. Kjo është detyra jonë të cilën s’mund ta delegojmë askund tjetër.

       Me të drejt gjermani Andreas Schiler ka thënë  “Arsimi i juaj sot është ekonomia e juaj nesër.”  Prandaj të punojmë për ekonomin e së nesërmes, duke punuar për arsimimin cilësor të gjeneratave të reja sot.

 

 

You Might Also Like