Bashkim Isufi
Pas nxjerrjes së Vendimit Nr. 11-V-024, të datës 27.11.2026, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me të cilin Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është ngarkuar me hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave, propozoj që, në kuadër të këtij procesi, të shqyrtohet edhe rishikimi dhe harmonizimi i kufirit administrativ ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Komunës së Novobërdës, përkatësisht në pjesën e urbanizuar të lagjes Dardania (Gavran), e cila shtrihet brenda zonës kadastrale të Koretishtës. Propozimi mbështetet edhe në nenin 9 të Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave, i cili parasheh që ndryshimi i kufijve administrativë të komunave të bëhet përmes plotësimit dhe ndryshimit të ligjit, pas konsultimit me qytetarët e komunave ose pjesëve të komunave të prekura nga ndryshimi. Ky propozim synon përfshirjen në territorin administrativ të Komunës së Gjilanit të kësaj hapësire të urbanizuar, e cila, ndonëse shtrihet në territorin administrativ të fshatit Koretishtë, paraqet vazhdimësi territoriale dhe lidhje funksionale me qytetin e Gjilanit, ka qenë e përfshirë në Planin Detal Urban “Dardania 2“ dhe aktualisht gjendet jashtë kufirit administrativ të Komunës së Gjilanit. Rishikimi i kufirit në këtë zonë do të mundësonte harmonizimin e organizimit administrativ dhe territorial me realitetin urban dhe funksional në terren, duke kontribuar në një planifikim dhe administrim më të përshtatshëm të kësaj hapësire, në interes të qytetarëve. Në këtë drejtim, propozoj që kjo çështje të përfshihet në shqyrtimin e Komisionit përgjegjës, në kuadër të procesit legjislativ për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim të vlerësimit të mundësisë së harmonizimit të kufirit administrativ në këtë zonë, duke marrë parasysh realitetin urban, territorial dhe funksional të saj.



