OPINION

A ka zgjidhje për infrastrukturën e sportit në Kosovë?

Shkruan: dr. Agim Zuzaku

Debatet e viteve të fundit kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën nëpër stadiumet e futbollit në Kosovë. Nuk mund të kemi zhvillim të futbollit pa infrastrukturë moderne. Për momentin në Kosovë vetëm Stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret sipas UEFA për zhvillimet e ndeshjeve ndërkombëtare.

Pavarësisht që viteve të fundit Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëfinancim me disa nga Komunat është munduar që të zbutë sado pak gjendjen e mjerueshme të stadiumeve në disa komuna prapë është e pamjaftueshme.

Po e përmendim Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku në vitin 2014 janë investuar rreth 1 milion euro, dhe për 5 vite ky stadium është jashtë funksionit. Të njëjtin fat do ta kenë edhe stadiumet tjera të planifikuara të ndërtohen nëpër qytetet e Kosovës. Sepse nuk kanë kapacitete financiare e as njerëzore që të mirëmbajnë këto stadiume, konform rregullave të UEFA.

Por cila është zgjidhja më e mirë?
Kosova ka të aprovuar në vitin 2011 Ligjin Nr. 04/L-045 për Partneritet Publiko Privat, ku fushëveprimi i këtij ligji është përcaktuar me Nenin 2 “Dispozitat e këtij ligji rregullojnë Partneritetet Publiko Private për ofrimin e shërbimeve publike dhe/ose infrastrukturës publike në të gjithë sektorët ekonomik dhe shoqëror, duke përfshirë por pa u kufizuar në: 1.8. sport dhe rekreacion;

Në ekonominë e sotme globale, infrastruktura dhe shërbimet moderne dhe efikase janë një parakusht i domosdoshëm për rritje të suksesshme dhe të qëndrueshme ekonomike.
“Hendeku infrastrukturor” sidomos në rastin tonë për stadiumet, i definuar si dallimi në mes të resurseve në dispozicion dhe shumës së investimeve të domosdoshme për të plotësuar nevojat thelbësore infrastrukturore të sportit në vend, ka ndikim negativ në rritjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës.
Kosova ka nevojë urgjente për të zgjeruar dhe për të rritur efikasitetit e infrastrukturës sportive. Por, qeveria ka resurse të kufizuara financiare për t’i ndarë ato për shpenzime kapitale dhe për shërbime të zgjeruara publike. Si rezultat, hendeku infrastrukturor i Kosovës, i vlerësuar të jetë miliardë euro, është i madhe dhe është duke u rritur.

Në mënyrë që të zvogëlohet hendeku në mes të resurseve publike në dispozicion dhe kostoja e infrastrukturës dhe shërbimeve që nevojiten, si dhe të sigurohet se infrastruktura e nevojshme dhe shërbimet të ofrohen në mënyrë sa më efikase dhe me kosto sa më të volitshme që të jetë e mundur, autoritetet publike duhet të kthehen kah Partneritetet-Publike-Private.

Përmes infuzionit të kapitalit dhe të menaxhimit privat, Partneritetet-Publike-Private (PPP) mund të lehtësojnë kufizimet fiskale dhe të rrisin efikasitetin në ofrimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Sidoqoftë, përkundër potencialit të tyre, Partneritetet-Publike-Private janë instrumente shumë komplekse të politikave.

Do të thotë, PPP-të kanë demonstruar përfitimin, duke sjellë përmirësime në infrastrukturë dhe në shërbimet publike brenda një kohe të shkurtër, vlerë më të mirë për para dhe inovacion të shtuar nëpër shumë sektorë. Por, kjo nuk do të thotë se implementimi i programit ose projektit të PPP-së është i lehtë. Në fakt, për ofrimin e shërbimeve publike drejt modelit në të cilin sektorët publikë dhe privatë punojnë së bashku, duhet të tejkalohen pengesa të rëndësishme politike, ligjore dhe rregullative në mënyrë që të largohemi nga modeli tradicional i sektorit publik.

PPP-ja i ofron Kosovës mundësinë për të modernizuar dhe për të zgjeruar infrastrukturën dhe shërbimet e saja publike. Me ligjin e Partneritetit-Publiko-Private dhe me themelimin e një njësie qendrore të PPP-së në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, korniza institucionale dhe ligjore është vendosur në mënyrë që të lejohen ministritë, NP-të, komunat dhe organizatat e tjera buxhetore që të fillojnë me implementimin e PPP-së përgjatë shumë sektorëve.
Partneritetet-Publike-Private, në përgjithësi, u referohen formave të bashkëpunimit në mes të autoriteteve publike dhe sektorit privat e që kanë për qëllim të sigurojnë financimin, ndërtimin, renovimin, menaxhimin, operimin dhe/ose mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe/ose ofrimin e shërbimeve.

Kosova mund të shfrytëzoj dy modele të PPP si:
1. PPP që paguhen nga përdoruesit (financimi i pagesave bazohet në pagesa nga përdoruesit – tarifa) ose
2. PPP-të që paguan qeveria (financimi i pagesave bazohet në buxhetin publik).
Kur financimi i pagesave bazohet në pagesa nga përdoruesit – tarifa, Komuna apo Qeveria i jep tokën (apo objektin ekzistues) dhe partneri privat investon në infrastrukturë duke marrë si kundërshpërblim tarifat nga shfrytëzimi i stadiumit dhe krijimi i të ardhurave nga shërbimet të cilat ofrohen në stadium. E tërë përgjegjësia e mirëmbajtjes, menaxhimit dhe operimit bie në rrezikun e investitorit. Kjo mund të realizohet në një afat kohor afatgjatë sa kthehen investimet e investitorit dhe fitimet e planifikuara që përcakton studimi i fizibilitetit dhe pas përfundimit të projektit infrastruktura sportive i takon Komunës.

PPP-të që paguan qeveria – Kur financimi i pagesave bazohet në buxhetin publik, kur Komuna apo Qeveria nuk ka mjete financiare që të filloj ndërtimin e stadiumit apo modernizimin e tij. Komuna lidh marrëveshje me investitorin që ti paguaj investimet e tij për një periudhë afatgjate duke i paguar investitorit me këste shumën e investimit, por duke krijuar një kod buxhetor për kthimin e investimeve. Në këtë rast është procedura e njëjtë sikurse te kredit publike.

You Might Also Like