Gjilan, 31 Janar / Poetja Naime Beqiraj me poezinë “Si nanë e bi’ rreth qafe”, është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2024”, që flakëron përgjatë tërë muajit janar, në Gjilan. Nën organizimin e Asociacionit Alternativ të Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Club “Beqir Musliu”, në bashkëpunim me organizatën CCNO dhe me mbështetje të Drejtorisë Për Kulturë, Rini e Sport, sot në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, u mbajt Ora e Madhe Letrare, ku 20 poetë të përzgjedhur paraprakisht në bazë të thirrjes publike, i kanë lexuar poezitë e tyre në garë për çmimin “Pena e Flakës”. Në hapje të Orës Letrare, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, në emër të kryetarin të komunës, Alban Hyseni, i ka përshëndetur të pranishmit të cilët i ka falënderuar për pjesëmarrje dhe begatim të kësaj ngjarje kulturore. Ajo ka thënë se kështu po përmbushet synimi i këtij manifestimi që të ofrojë para publikut gjilanas të arriturat origjinale të vitit të fundit, në shtyllat kryesore të krijimtarisë artistike, duke nderuar e përkujtuar “Janarët” tanë të flakët, si kujtim për 17 Janarin e krye-heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, për 17 janarin e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës,, për Janarin e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, si kujtim dhe kushtrim i vazhdimit ë luftës për liri, dëshmorët e Kosovës të rënë në janarët e përgjakshëm, e deri në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra figurave emblematike të përpjekjeve tona për liri. Nënkryetarja Morina Bunjaku tha tutje se tashmë jemi në ditë ne fundit të manifestimit të “Flakës…”, për vitin 2024, teksa kemi përmbyllur suksesshëm aktivitetet në shtyllat tjera, sot me “Penën e Flakës”, po e përmbylli me shumë sukses edhe këtë pjesë. derisa edhe i tërë ky organizim i jashtëzakonshëm i Manifestimit, në këtë mënyrë do të përmbyllet suksesshëm, duke e bërë Gjilanin, jo vetëm qendër, por kryeqendër të kulturës dhe artit shqiptar, për gati një muaj. Ajo ripërsëriti për të pranishmit, se sot, në ditën e fundit të këtij manifestimi, në Gala Mbrëmje (ora 18:00), do të kemi mysafirë, shkrimtarin Ismajl Kadare me bashkëshorten e tij, në këtë ngjarje që mbahet te Vali Ranch Resort. Përndryshe në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”, i lexuan poezitë e tyre këta poetë konkurrues: Alketë Spahiu – Dialog me fustanat, Arsim Halili (jashtë konkurrencës) – Stinëve të trembura në mjegull, Diella Çitaku – Zhveshja e ditës, Dhimitër Pojanaku – Dëbora e burgosur, Elesa Halimi – Kosovë, toka ime e bukur, Emrah Bilalli – Gjysma e asaj që nuk jemi, Erdonitë Hebibi –Adi me më dasht, Farida Ramadani – Botë me dhimbje, Ibush Vishi – I ngritur me yje, (Kasam Shaqirvela – Plagëve të atdheut – mungoi), Melos Selmani – Për ty Gjilan, Mirjetë Berisha – Eja si serenadë, Naime Beqiraj – Si nanë e bi’ rreth qafe, Nurie Baduni – Duet i heshtur, Preng Maca – Zogjtë, Ramë Oraca – Arka e drunjtë, Selvete Abdullahu – Paqja e vonuar, Shqipe Hasani – E bekuar grua, Shyrete Demaj – Ku flenë perënditë, Zanë Mali – Derisa t’jetosh në mua. Të gjitha poezitë e lexuara u përcollën nën tingujt magjik të violonçelit, falë duarve të arta të profesoreshës Arzije Jusufi. Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Sarë Gjergji, Albina Idrizi dhe Arsim Halili. përzgjodhën poezinë fituese të Orës, që doli të jetë poezia “Si nanë e bi’ rreth qafe” e poetes Naime Beqiraj, të cilës çmimi “Pena e Flakë”, do t’i dorëzohet në “Gala Mbrëmje”. Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrat të “Flakës së Janarit 2024”. Emin Azemi nga juria e konkursit. vlerësoi se janë vënë në spikamë vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë. Pra, Juria profesionale e konkursit anonim letrar, në përbërje, Emin Azemi, Zyrafete Shala dhe Nexhat Rexha ka bërë këtë vlerësim: Në poezi: Shpërblimi i parë i jepet poezisë: Etyd për violonçel, shifra Arbereshja Shpërblimi i dytë poezisë: Në emër të atit, shifra Tenebris Hospes Shpërblimi i tretë poezisë: Ti nuk e di, prandaj flet, shifra Ezra Në prozë: Shpërblimi i parë i jepet tregimit “Në autobus”, pa shifër Shpërblimi i dytë: Maria Rosseti, Gjon – Luigji Shpërblimi i tretë: Hija, shifra “Kënga e shiut” Përndryshe, manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2024”, përmbyllet sonte me “Gala Mbrëmjen” e cila mbahet në “Vali Ranch” Resort (ora 18:00).