Me ushqime tradicionale është mbajtur “Darka e Lamës”, si një festë tradicionale e organizuar nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht drejtoria e Bujqësisë.
Ky manifestim u realizua me qëllim të promovimit të prodhimeve bujqësore, të cilat ofrohen nga fermerët, kompanitë dhe prodhuesit e Komunës së Gjilanit.
Kryetari i komunës, Alban Hyseni, falënderoi fermerët e komunës, të cilët janë krye tema e kësaj feste të veçantë.
“Nga 390 mijë euro që ishte buxheti, kemi rritur atë në 1.5 milionë euro. Kjo besoj se është treguesi më i mirë për vëmendjen dhe kujdesin që Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, ka për fermerët”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, shtoi se në këtë mbrëmje të veçantë, ku përveç të gjitha të mirave që kujtojmë edhe traditën dhe historinë është edhe mesazhi kryesor ku përçohet e që është uniteti dhe bashkimi karshi temave të rëndësishme e në këtë rast për bujqësinë.
“Bujqësia, ka pasur dhe ka vend të veçantë te ne dhe jam i bindur se me gjithë punën që kemi bërë në këtë drejtim, është dëshmuar se bujqësia ka qenë njëri ndër sektorët që kemi treguar se e kemi prioritet. Pa fermerët tanë, kjo festë nuk do të kishte fare kuptim”, tha Hyseni.
Kryetari, theksoi se mesazhi më i rëndësishëm i kësaj feste tradicionale, është uniteti dhe ruajtja e traditës.
Sipas tij duhet çmuar e vlerësuar atë që e nxjerrim me duart tona nga toka jonë e çmuar dhe shumë e rëndësishme.
“Përfundimisht të vazhdojmë bashkërisht deri në fund dhe të ecim përkrah njëri me tjetrin”, tha kryetari Alban Hyseni.
Zëvendës ministri i Bujqësisë Imri Demelezi, tha se kjo ngjarje ka për qëllim falënderimin për përmbylljen e të korrave nga bujqësia dhe të njëjtën kohë inkurajimin për konsumimin e prodhimeve tona lokale, e cila është bazament i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë.
Kjo është ngjarje tregon për respektin e lashtë që ka populli ynë për natyrën.
“Si Qeveri e Kosovës, kemi shënuar rezultate konkrete, ku kemi kthyer besimin në Ministrinë e Bujqësisë dhe përkrahja e atyre që vërtet që merren me bujqësi. Në këtë mandat e kemi dyfishuar përkrahjen për bujqësinë dhe po ashtu është inkurajuese rritja e buxhetit edhe nga Komuna e Gjilanit”, tha
Demelezi.
Zv. Ministri, premtoi vazhdimin e përkrahjes së sektorit të bujqësisë edhe në të ardhmen. Sipas tij fokusi kryesor do të jetë zingjiri i blerjes së prodhimeve bujqësore.
Drejtori i Bujqësisë, Bajram Isufi, tha se fermerët janë ata që po i japin hijeshi festës tradicionale “Darka e Lamës”.
Sipas tij historia e kësaj feste është shumë e vjetër ndër shqiptarët dhe daton që nga koha e ilirëve. Në “Darkën e Lamës”, ku shtrohej sofra në shenjë falënderimi ndaj natyrës e Perëndisë, për frytet bujqësore, të cilat bujku në vjeshtë i mbledh, i korr dhe i ruan në hambar.
Drejtori Isufi, tregoi se nga një festë tradicionale ne vitin 2002 ish-presidenti Rugova e shpalli festë shtetërore e cila festohet për çdo vit nga të gjithë presidentet dhe institucionet e tjera shtetërorë.
“Kemi agro-përpunuesit Gjilanas që po ndërtojnë brendet e tyre me cilësi të nivelit evropian si: industria e lëngjeve, prodhimet e mishit të zogut dhe vezëve, industria e mishit, prodhimet e qumështit, prodhimi i vajit, prodhimi i ujit etj.
E gjithë kjo punë e mirë që është bërë e që duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen me rritjen e buxhetit e gjëra tjera.
“Pa përkrahjen e kryetarit Alban Hyseni e të tjerëve nuk ishin të arritshme këto rezultate. Për të cilën e falënderojmë, që është në përkrahje të plotë në mbështetje të fermerëve në veçanti”, tha Isufi.