Futboll

SC Gjilani në pushim dimëror

Pas përfundimit të stinorit vjeshtor të kampionatit, skuadra ka shkuar në pushim dimëror, për t’u rikthyer në fillimin e muajit janar të vitit 2025.

Ndeshja e xhiros së 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll ndaj Ferizajt në udhëtim shënoi njëherit edhe uljen e siparit për pjesën e parë të kampionatit, me skuadrën që shkoi në pushim dimëror.

Pesë fitore, gjashtë barazime dhe shtatë disfata. Ky është bilanci i të besuarve të Ardian Nuhiut që renditen në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare me 21 pikë të regjistruara.

26 gola të realizuar dhe po aq të pranuar me një bilanc të barabartë “kuqebardhët” rreshtohen në mesin e artë të tabelës.

Senad Jarovic ishte futbollisti më efikas i skuadrës me 7 gola të realizuar dhe katër asistime, derisa së bashku me Kenan Haxhihamzën dhe Kushtrim Shabanin ishin futbollistët me më së shumti minuta në këmbët e tyre.

Skuadra kaloi gjithashtu edhe rrethin e parë të garave në Kupën e Kosovës, teksa eleminoi Lirinë, ndërkohë që në fazën tjetër do jetë kundërshtar i Vëllaznimit të Gjakovës.

Grupi do të mblidhet më 4 janar të vitit 2025 për të vijuar me fazën përgatitore për stinorin pranveror të kampionatit. Nga data 15 deri më datë 29 janar, ekipi do të udhëtoj drejt Antalias së Turqisë për të ndërruar mjedis, me ç’rast do t’i zhvilloj edhe katër duele kontrolluese në tokën turke.

Gjatë ditëve në vijim klubi do të njoftoj edhe për ndryshimet eventuale në organikë.

Falënderojmë të gjithë tifozët për mbështetjen e tyre të palodhur dhe ju urojmë pushime të mbara të fundvitit!

You Might Also Like