Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në afat prej 30 vitesh për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Kadri Zeka”

Gjilan, 11 mars 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e jashtëzakonshme të udhëhequr nga Kushtrim Kadriu, kryesues, ka miratuar dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në afat prej 30 vitesh për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Kadri Zeka”.

Duke qenë se nuk pati dakordancë mes pozitës dhe opozitës për dy lokacionet e propozuara, me 26 vota për është votuar për parcelën prej 8327 m2 (P-70403013-05450-30), që është pranë Universitetit “Kadri Zeka”, por jo edhe për hapësirën punuese dhe mësimore në objektin e shkollës së mesme të Bujqësisë, në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, nën arsyetimin se në këtë shkollë janë paraparë investime.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për negligjencë për çështjen e kampusit universitar, ka thënë se vazhdimisht ka pasur përpjekje, takime të rregullta e vizita në terren nga ai dhe ekipi i tij me përfaqësues të Universitetit “Kadri Zeka”, për të bërë zgjidhje.

“Është e vërtetë që në Gjilan nuk ekziston asnjë tokë e dedikuar për Universitetin, por kjo gjendje ka qenë prej vitit 2013, kur është themeluar ky Universitet”, ka thënë Hyseni.

————————————————————————

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës është transmetuar drejtpërdrejt në formatin livestream në faqen e Komunës së Gjilanit në facebook dhe në mediat lokale.

You Might Also Like