FINALJA 1 • DRITA ME FITORE NË FERIZAJ
Ferizaj 2:3 Drita
Setet: 22:25, 13:25, 25:18, 25:23, 10:15
Spektakli i finales së madhe në Raiffeisen Superligën A për meshkuj ka nisur furishëm! Në një përballje dramatike që zgjati pesë sete, Drita e Gjilanit doli fituese ndaj Ferizajt në ndeshjen e parë të serisë finale, duke marrë epërsinë 1:0 në garën për titull.
Seti i parë ishte i baraspeshuar, me të dyja skuadrat që shkëmbyen avantazhin disa herë, por në fund ishte qetësia e Dritës që bëri diferencën për fitoren 25:22.
Në setin e dytë, gjilanasit dominuan në të gjitha aspektet – shërbimi, pritja dhe blloku funksionuan në mënyrë perfekte dhe rezultati i thellë 25:13 e tregoi qartë forcën e tyre.
Ferizaj, i nxitur nga përkrahja e publikut vendas, reagoi fuqishëm në setin e tretë.
Ata kontrolluan ritmin që nga fillimi dhe fituan bindshëm 25:18, duke u rikthyer në lojë.
Seti i katërt ishte më emocionuesi – një betejë pikë pas pike.
Ferizaj arriti të ruajë epërsinë në momentet vendimtare, duke përfituar nga gabimet e kundërshtarit dhe duke fituar 25:23 për të barazuar gjithçka në 2:2.
Por në setin vendimtar, qetësia e Dritës bëri sërish diferencën.
Ata menaxhuan më mirë presionin dhe me rezultat 15:10, e mbyllën ndeshjen me fitoren e parë të finales.
Kampion i Kosovës do të shpallet klubi që arrin tri fitore në serinë finale të Play-Off-it.