Në një kohë kur shumë shqiptarë sfidoheshin nga represioni politik dhe varfëria e skajshme, familja Muji nga fshati Bresalc, Lagjja Gllama e komunës së Gjilanit, zgjodhi rrugën e mërgimit në kërkim të një jete më të mirë. Ajo që nisi si një rrugëtim për mbijetesë në vitin 1980 nga Ramadan Muji, sot është shndërruar në një histori të jashtëzakonshme suksesi me themelimin dhe zhvillimin e kompanisë “Muji Autocenter GmbH”, që sot është emër i njohur në tregun evropian të veturave, veçanërisht në shtetin helvetik të Zvicrës.
Ramadan Muji, një njeri punëtor, i ndershëm dhe me shpirt të madh atdhedashës, nuk kurseu asgjë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij. Përveç përkushtimit ndaj punës, ai i dha një rëndësi të veçantë edukimit të djemve të tij me vlera të forta etike, morale dhe atdhetare. Ky themel i fortë u bë shtylla kryesore mbi të cilën Berati, Burimi dhe Hasani ndërtuan më pas rrugëtimin e tyre të suksesshëm në fushën e biznesit automobilistik.
Në vitin 2011, tre vëllezërit nisën një aventurë të re duke themeluar kompaninë “Muji Autocenter GmbH”, e cila fillimisht ishte një iniciativë e vogël me një veturë dhe shumë pasion.
“Ishim të rinj dhe, si çdo i ri, kishim pasion për veturat. U dashuruam në zhurmën e makinave. Filluam me një veturë, duke bërë servisimin, ngjyrosjen, riparime dhe shitblerje. Ishim të lumtur që po e nisnim realizimin e ëndrrës tonë fëmijërore. Ndonëse fillimi ishte i vogël, ne punuam me përkushtim, duke ofruar cilësi të lartë dhe ndërtuam një biznes të mirëfilltë familjar. Për këtë sukses i falënderohem të gjithë familjes – secili në mënyrën e tij ka dhënë dhe po jep kontribut që të jemi edhe më të fortë në tregun evropian të veturave,” ka thënë pronari i kompanisë, Berat Muji.
Babai me fëmijët
Kompania “Muji Autocenter GmbH” u shndërrua shpejt në një emër të respektuar dhe të besueshëm në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër, por edhe më gjerë. Motoja e saj “Te Muji, për çdo muaj” përfaqëson përkushtimin për të qenë të qëndrueshëm në cilësi, korrektësi dhe inovacion.
“Çdo blerësi që nga hapja e Sallonit tonë deri më sot i jemi mirënjohës. Jemi shumë krenarë që jemi pjesë e çdo klienti që ka besim në punën tonë. Kryesisht blerësit janë shqiptarë, të cilët na nderojnë shumë. Po ashtu, kemi një respekt të jashtëzakonshëm për secilin bashkatdhetar. Rreth 80% e blerësve tanë janë online, çka dëshmon për besimin e madh që kanë ndaj nesh. Kemi edhe klientë nga jeta shoqërore, sportive dhe kulturore – personalitete të njohura që e vlerësojnë profesionalizmin tonë dhe për këtë jemi veçanërisht krenarë,” thekson Muji.
Në vitin 2017, kompania hapi për herë të parë panairin e saj të veturave, një risi në llojin e vet për në Zvicër. Me kalimin e viteve, ky panair u kthye në një ngjarje të përvitshme shumë të pritur nga adhuruesit e veturave.
“Panairin e parë e kemi mbajtur në vitin 2017. Pandemia COVID-19 na ndërpreu përkohësisht, por këtë vit, nga 23 deri më 25 maj, organizojmë Panairin e 6-të me vetura nga më të ndryshmet. Pritet një numër i madh vizitorësh, madje edhe nga shtete të tjera jashtë Zvicrës,” tregon me entuziazëm Berat Muji.
Përveç suksesit profesional, familja Muji njihet edhe për angazhimin e saj në çështje humanitare dhe sociale. Duke ndjekur shembullin e babait të tyre, Ramadan Muji, ata ndihmojnë rregullisht familje në nevojë në Zvicër dhe Kosovë, duke mos harruar kurrë prejardhjen dhe përgjegjësinë ndaj popullit.
Berati është gjithashtu një dashamirës i madh i sportit. Ai organizon çdo vit “Muji Kup”, një ndër turnet më të mëdha të futsallit në Zvicër, në bashkëpunim me KF Dardania nga St.Gallen, ku marrin pjesë deri në 70 skuadra nga vende të ndryshme. Ky aktivitet ka bërë jehonë duke i dhënë edhe një dimension tjetër emrit “Muji”.
Muji Cup Futsall
Përveç futbollit, Berati është aktiv edhe në fushën e motorizmit. Ai është pjesë e klubit “Shqiponjat MC”, një organizatë që numëron shumë anëtarë dhe që njihet për aktivitetet e saj të organizuara në mënyrë shembullore në Zvicër.
Motoristët
Familja Muji, me rrënjë të thella shqiptare dhe vizion të qartë evropian, ka dëshmuar se me punë të ndershme, përkushtim familjar dhe dashuri për profesionin, çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Kompania “Muji Autocenter GmbH” është më shumë sesa një sallon veturash – është një simbol i suksesit shqiptar në diasporë.
“Punojmë me përkushtim, me ndershmëri dhe dashuri për atë që bëjmë. Kjo është çelësi i suksesit tonë,” përfundon me krenari Berat Muji.
“Muji Autocenter GmbH” mbetet një model frymëzimi jo vetëm për mërgatën shqiptare, por për këdo që beson se rrënjët e forta, puna e ndershme dhe dashuria për profesionin janë rruga më e sigurt drejt suksesit të qëndrueshëm dhe të merituar.