Sportet luftarake

Katër karateistë të KK “AS” pjesë e Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Ballkanik në Tivar

Klubi i njohur i karatesë nga Gjilani, KK “AS”, do të përfaqësojë Kosovën me katër garues në Kampionatin Ballkanik të karatesë për grupmoshat 8-13 vjeç, i cili do të mbahet nga 30 maji deri më 1 qershor në qytetin bregdetar të Tivarit në Mal të Zi.

Ky klub, i njohur për sukseset e tij jo vetëm në Gjilan, por në tërë vendin, do të kontribuojë me katër prej karateistëve më të talentuar në ekipin përfaqësues të Kosovës. Garuesit do të marrin pjesë në disiplinat kata dhe kumite, duke synuar të kthehen me medalje nga ky eveniment i rëndësishëm ndërkombëtar.

Përfaqësuesit nga KK “AS” janë:

Daris Rahimi (9 vjeç) – Kata dhe kumite deri në 40 kg

Bora Gagica (10 vjeçe) – Kata dhe kumite deri në 36 kg

Alea Ajeti (11 vjeçe) – Kata dhe kumite deri në 32 kg

Xhan Ilijazi (13 vjeç) – Kumite

Pavarësisht moshës së re, këta karateistë kanë treguar cilësi të larta në shumë paraqitje ndërkombëtare, ku kanë arritur të dekorohen me medalje të rëndësishme.

Trajneri i klubit KK “AS”, Alban Beqiri, i cili njëkohësisht është edhe drejtor sportiv në Federatën e Karatesë së Kosovës, ka shprehur besim të madh në garuesit e tij:

“E dimë që na pret një konkurrencë jashtëzakonisht e fortë, ashtu siç është gjithmonë Kampionati Ballkanik, por pa sfida të mëdha nuk mund të bëhesh kampion. Garuesit tanë janë përgatitur shumë mirë dhe për ta është një nder i veçantë të mbrojnë ngjyrat e shtetit. Jam shumë optimist dhe i bindur se do të japin maksimumin për të arritur tek medaljet”, u shpreh trajneri Beqiri.

Pjesëmarrja e klubit gjilanas në këtë kampionat është dëshmi e cilësisë dhe përkushtimit që KK “AS” ka ndaj zhvillimit të sportit të karatesë në Kosovë.

You Might Also Like