Postim i kryetarit Alban Hyseni
Sot nga Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, me praninë e Kryeministrit Albin Kurti, u konfirmua zyrtarisht nominimi për kandidaturën time edhe për mandatin e dytë si Kryetar i Komunës së Gjilanit.
Mbështetja e palëkundur e Lëvizjes dhe vlerësimi i Kryeministrit për qeverisjen në Gjilan është një nder dhe përgjegjësi e madhe. Gjatë takimit, u veçuan projektet konkrete që kanë prekur drejtpërdrejt secilin qytetar dhe çdo pjesë të komunës sonë si dëshmi e punës së përkushtuar dhe orientimit të qartë drejt zhvillimit.
Kjo kandidaturë merr një domethënie të veçantë, pasi vjen në vitin jubilar të 20-vjetorit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që hapat e parë të funksionimit dhe organizimit politik i bëri pikërisht në Gjilan. Është nder i veçantë që ky qytet, që dikur ishte ndër bazat fillestare të veprimit të Lëvizjes, sot të jetë shembull i qeverisjes së përgjegjshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në javët në vijim, do të prezantojmë programin dhe projektet tona për katër vitet e ardhshme – plane të ndërtuara mbi përvojë, vizion dhe nevojat reale të qytetarëve të Gjilanit.