Në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Mulla Nusret Hajdari, familjarë, miq dhe bashkëfshatarë e kujtojnë me nderim dhe krenari jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.
Mulla Nusret Hajdari, i lindur dhe rritur në fshatin Miresh(Doberqan) të komunës së Gjilanit, ishte një figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjitha shtresat shoqërore. I frymëzuar nga gjyshi i tij, Haxhi Sylejmani – një veprimtar i njohur kombëtar – Nusreti që herët u edukua me ndjenja të thella atdhedashurie dhe përkushtimi fetar.
Pas përfundimit me sukses të Medresesë “Alaudin” në Prishtinë në vitin 1989, ai shërbeu si imam në disa xhami, përfshirë atë të Pogragjës dhe më vonë në xhaminë e poshtme të fshatit Miresh, ku vazhdoi shërbimin fetar deri në ditën e rënies së tij më 13 qershor 1999.
Në ditët e fundit të luftës, gjatë tërheqjes së forcave paramilitare serbe, fshati Miresh u sulmua brutalisht. Gjatë këtij sulmi, forcat serbe dogjën shtëpi, maltretuan civilë dhe shkatërruan objekte fetare. Në përpjekje për të mbrojtur xhaminë dhe banorët e fshatit, Mulla Nusret Hajdari u vra mizorisht nga forcat serbe. Po atë ditë, u plagosën edhe mësuesi i fshatit, Basri Bislimi, dhe Hafiz Hajdari, ndërsa të tjerë u dhunuan, përfshirë Hamdi Kastratin dhe Haxhi Jonuz Hajdarin. Xhamia e epërme e fshatit, ndërtuar në vitin 1527, u dogj nga forcat serbe.
Dëshmori Mulla Nusret Hajdari u varros më 14 qershor 1999 në oborrin e xhamisë, në rrethana të jashtëzakonshme, duke lënë pas bashkëshorten, një djalë të vogël, prindërit dhe të afërmit që sot e kujtojnë me dhimbje, por edhe me krenari të thellë.
Sot, 26 vjet pas rënies së tij, trashëgimia e Mulla Nusretit mbetet gjallë. Nipi i tij 8-vjeçar mban me krenari emrin e tij, duke dëshmuar se kujtimi për dëshmorët do të jetojë përherë në gjeneratat e reja.