Shëndeti

Qendra Psikologjike “RISE” një dritë shprese për shëndetin mendor në Gjilan

Qendra Psikologjike “RISE” një dritë shprese për shëndetin mendor në Gjilan

Brenda vetëm pesë muajve nga hapja, Qendra Psikologjike “RISE” e themeluar nga Msc. Vjollca Zymberi Devaja është shndërruar në një prej adresave më të kërkuara për qytetarët që kërkojnë ndihmë profesionale në përmirësimin e shëndetit mendor dhe zhvillimin e aftësive jetësore.

Qëllimi i hapjes së kësaj qendre ishte i qartë: t’u ofrojë ndihmë dhe përkrahje psikologjike atyre që përballen me sfida emocionale, mendore dhe sociale në përditshmërinë e tyre. Në një kohë kur stresi, ankthi dhe presioni jetësor janë të pranishëm në çdo moshë e shtresë të shoqërisë, qendra “RISE” po arrin të sjellë ndryshim të vërtetë dhe ndikim pozitiv në jetën e shumë qytetarëve.

Msc. Vjollca Zymberi Devaja është profesioniste me përvojë të thellë në fushën e psikologjisë. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Psikologjisë së Përgjithshme dhe më pas studimet pasdiplomike në Fakultetin Filozofik në drejtimin e Psikologjisë Industriale-Organizative. Për mbi 20 vite ka shërbyer si profesoreshë e psikologjisë, si dhe ka qenë koordinatore dhe trajnere në organizatën joqeveritare KCIC në Gjilan. Për një periudhë kohe ka dhënë kontribut edhe si asistente në Kolegjin Universitar në Gjilan.

“Qendra jonë është edukative dhe komunikuese për çdo lëmi psikologjike. Përpos se merremi me klientë të ndryshëm, ne ofrojmë edhe kurse dhe trajnime për menaxhimin e stresit, ndërgjegjësimin emocional dhe zhvillimin e aftësive personale e profesionale,” – thekson profesoresha Devaja.

Në Qendrën “RISE” ndihmë mund të kërkojnë të gjitha grupmoshat, duke filluar nga fëmijët 6-vjeçarë, të rinjtë, studentët, e deri te të rriturit. Për fëmijët e moshës 6-11 vjeç ofrohen kurse për zhvillimin e fokusit dhe aftësive bazike, për moshën 12-18 vjeç janë të dizajnuara programet për inteligjencë emocionale dhe orientim në karrierë, ndërsa për studentë dhe të rritur ofrohen kurse të ndërgjegjësimit që ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies mendore dhe sociale.

“Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Ne ofrojmë qasje gjithëpërfshirëse duke kombinuar lojëra, ushtrime praktike dhe diskutime grupore për të arritur rezultatet më të mira,” – shton Msc. Devaja.

Qendra “RISE” ka një staf të përkushtuar dhe profesional, ku secili anëtar luan rol kyç në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të personalizuara për çdo individ.

Ky institucion tashmë konsiderohet si një aset me rëndësi të madhe për qytetin e Gjilanit dhe më gjerë, duke sjellë një dimension të ri në trajtimin dhe rehabilitimin psikologjik të shumë qytetarëve që çdo ditë gjejnë mbështetje dhe shpresë në këtë qendër.

You Might Also Like