Gjilan

Presidenti Fatmir Sejdiu viziton mësuesin Musa Ibrahimi në Gjilan

Ish- presidenti i Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu ka vizituar doajenin e arsimit gjilanas, mësuesin Musa Ibrahimi, i cili me dekada të tëra ka punuar në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Prof. dr. Fatmir Sejdiu, profesor universitar, i angazhuar në çështjen kombëtare, kryetar i LDK-së e president i Kosovës, tashti 73-vjeçar, vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me Musa Ibrahimin, mësuesin me të cilin lidhi kontaktin e parë në moshën pesëvjeçare, në fshatin Hotël të Kumanovës. Por, ajo që e bën këtë histori edhe më të veçantë është fakti se jo vetëm ai si fëmijë, por edhe babai i tij, punonte dhe jetonte ngushtë me mësuesin Musa Ibrahimi. Dy familjet, në fakt, ndanin të njëjtën hapësirë jetese dhe krijuan një bashkëjetesë që kaloi kufijtë e zakonshëm të fqinjësisë – duke funksionuar si një familje e vetme.

Musa Ibrahimi, i njohur për përkushtimin ndaj arsimit dhe për formimin e shumë brezave, ka kujtuar me dashuri kohën kur ndante bukën dhe ditën me familjen Sejdiu.

“Ishte një kohë e vështirë, por me shumë ngrohtësi njerëzore. Babai i Fatmirit ishte njeri i urtë dhe punëtor. Ndihmonim njëri-tjetrin pa ndarje,” është shprehur ai.

Fatmir Sejdiu, nga ana e tij, nuk i ka fshehur kurrë ndjenjat e mirënjohjes për njeriun që ndikoi në formimin e tij që në fëmijëri. Në rrëfime të ndryshme, ai ka theksuar se mësuesi Ibrahimi nuk ishte vetëm edukator, por edhe një figurë prindërore gjatë viteve të para të jetës. Kjo lidhje e rrallë, e ndërtuar mbi respekt, bashkëjetesë dhe kujdes të ndërsjellë, ka mbetur e pathyeshme ndër vite, pavarësisht distancës, pozitave publike apo sfidave jetësore. Është një histori që dëshmon për fuqinë e lidhjeve njerëzore dhe ndikimin që një mësues mund të ketë në jetën e një fëmije – edhe kur ai fëmijë bëhet president.

Foto: Një miqësi që zgjat me dekada. Musa Ibrahimi, veteran i arsimit, i biri i tij Bardhyli dhe presidenti Fatmir Sejdiu.

Bardhyl Ibrahimi, pas vizitës që presidenti Fatmir Sejdiu i ka bërë babait të tij, ka thënë se çdo takim me të është kujtim i gjallë, reflektim i thellë dhe frymëzim për më shumë. Ai ka falënderuar presidentin Sejdiu, duke theksuar se ai meriton mirënjohje për gjithçka që ka dhënë për vendin tonë, andaj nga zemra i ka uruar shëndet, qetësi e lumturi, duke shtuar se dera e familjes Ibrahimi gjithnjë do të jetë e hapur për familjen Sejdiu. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like