Gjilan

Përkujtohet përvjetori i ribashkimit të dëshmorëve të kombit

Zyrtarët e Komunës së Gjilanit, bashkë me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë dhe ushtarakë të UÇK-së, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë, përkujtuan, përvjetorin e ribashkimit të dëshmorëve të kombit, të rënë në luftën e lavdishme për çlirim dhe bashkim kombëtar te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Leonora Morina Bunjaku, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, tha se sot, janë mbledhur këtu për të nderuar me respektin më të lartë Dëshmorët e Kombit, të cilët me gjakun dhe jetën e tyre e shkruan kapitullin më të lavdishëm të historisë sonë.

“Ribashkimi i tyre në këtë vend të shenjtë është simbol i sakrificës dhe i përjetësisë së veprës së tyre. Ata nuk janë thjesht kujtim, por ndërgjegjja jonë kolektive, busulla që na udhëheq drejt lirisë, barazisë dhe bashkimit kombëtar”, tha Leonora Morina Bunjaku.

Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se çdo herë që përmendin dëshmorët, përulen para sakrificës së tyre dhe forcojnë vendosmërinë që të ndërtojnë një të ardhme të denjë për gjakun e derdhur.

Sipas saj, ata na mësojnë se liria nuk është dhuratë, por amanet.

“Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ju shpreh mirënjohjen më të thellë familjeve të dëshmorëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan në luftën për liri. Amaneti i tyre është përgjegjësi jonë e përditshme. Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit! Nderim dhe respekt për sakrificën e tyre të pavdekshme”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se para 26 vjetëve kanë marr vendim që të gjithë dëshmorët e kombit, të rënë në të gjitha luftërat e lavdishme për çlirim dhe bashkim kombëtar, të vendosen këtu në Kodrën e Dëshmorëve.

Sipas tij dëshmorët janë dhe do të mbeten, ndërgjegjja më sublime për ne, sa herë që i përmendim dhe i kujtojmë dëshmorët kujtojmë sakrificën dhe veprën sublime të tyre, pra flijimit për atdhe.

Izmi Zeka, nga PDK-ja, tha se është një ditë e veçantë dhe historike, ku po bëhen 26 vjet nga ribashkimi i dëshmorëve të kombit në Kodrën e Dëshmorëve.

You Might Also Like