Shkrimtari Sabit Rrustemi, i njohur tashmë me tri vepra në prozë, me dhjetëra të tjera në poezi, ku shquhet sidomos “Hyjnorja ime je ti”, në katër vëllime, po edhe me një seri prozash të përpunuara nga thesari i trashëgimisë së letërsisë gojore, Stina e meseleve, 1,2,3 e 4, po dhe të tjera nga fusha e publicistikës, tash na vjen po me një libër të ri poetik, me titull, SHPRUSH NËPËR DEJ, edituar këto ditë nga Shtëpia botuese ROZAFA (Prishtinë, 2025), e cila siç e thotë dhe vetë ballina e këtij libri, del të jetë “katrena e mbramë për dashurinë”, ku në një mënyrë, autori mëton t’ia vë pikën kulmore përkushtimit të tij poetik në fushën e dashurisë.
SHPRUSH NËPËR DEJ përbëhet prej katër librave në një titull të përbashkët, “Për shpirtin tënd” – In Tima, 2021, “I tëri brenda teje ndizem” – In Tima, 2022, “Pritjet s’kanë ku prehen” – In Tima 2023 dhe “N’atë pjesë të fshehur të zemrës” – In Tima 2024 duke përmbledhur kështu poezinë e dashurisë, e cila është krijuar brenda katër vitesh, (2021 – 2024), vit që shenjëzon në një mënyrë edhe përmbylljen e këtij cikli mjaftë të sukseshëm frymëzues në këtë zhanër poetik nga ky autor,i cili arrin t’i sublimojë poetikisht të gjitha drithmat e dashurisë, të cilat përshkojnë botën e tij poetike dhe shpirtërore, jo vetëm në tërësinë e librit por edhe në veçantitë poetike brenda kësaj katrene duke përbashkuar katër stinët drithëruese të motit, që ndeshen me furtunat e ndjenjave nëpër vite e. kohë.
SHPRUSH NËPËR DEJ, në plotëninë e fjalës, shprush një botë
të tërë brenda jetës së njeriut tonë të sotshëm, i cili dallon nga ai i djeshmi, shkaku i kohës dhe i trendeve të ndryshme të këtij fillim shekulli.
Gjithsesi, SHPRUSH NËPËR DEJ ka dhe një gjuhë të ndjeshme e të përosur nga aspekti figurativ, për të cilin ky shkrimtar tashmë i njohur i këtij lloji të poëzisë, dëshmohet edhe si mjeshtër i rryer i vargut.
(K. Rexha)