Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në funksion të arsimit të lartë dhe zhvillimit lokal.
Gjatë takimit, u trajtuan çështje me rëndësi strategjike për Universitetin dhe Komunën, përfshirë mbështetjen institucionale për aktivitetet akademike, përfshirjen e studentëve në iniciativa komunale, si dhe krijimin e mundësive të reja për praktika profesionale dhe angazhim qytetar të studentëve.
Rektori Dërmaku theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me institucionet lokale, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Komunën e Gjilanit dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin akademik dhe shkencor të universitetit.
Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, vlerësoi rolin e Universitetit si një faktor kyç në zhvillimin shoqëror, arsimor dhe ekonomik të komunës. Ai shprehu gatishmërinë e Komunës për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, veçanërisht në projekte që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të studentëve.
Në përfundim të takimit, të dy palët u pajtuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Universitetit dhe Komunës do të krijojë mundësi të reja për studentët, do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e qëndrueshëm të Gjilanit.





