KULTURA

Kanë vazhduar aktivitetet e “Javës së Frankofonisë”, në “kryeqytetin e Frankofonisë” në Gjilan

Hyseni: Gjilani po dëshmon çdo ditë e më shumë se është një qendër e rëndësishme kulturo-artistike

Kanë vazhduar aktivitetet e “Javës së Frankofonisë”, në “kryeqytetin e Frankofonisë” në Gjilan.

Një mbrëmje muzikore elegante dhe plot emocione, që promovon pasurinë e kulturës frankofone, u dha në sallën koncertale të Shkollës së Muzikës vepër e Reynaldo Hahn “Ora e shkëlqyer”- “L’heure exquise” nga mezo-soprano Fiona Shabani, piano nga Lirika Pula dhe aktorja Albulena Bokshi.

Po ashtu është mbajtur aktiviteti “Më thuaj dhjetë fjalë të botës që do të vijë”-“Dis-moi dix mots d’un monde à venir” nga nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe atij Shoqëror “Zenel Hajdini”.

Kryetari i Komunës s ë Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në kuadër të “Javës së Frankofonisë”, mbrëmë shijuan koncertin letrar dhe muzikor ”L’Heure exquise”, një udhëtim magjepsës nëpër veprat e mrekullueshme të Reynaldo Hahn.

Ai përgëzoi artistët që dhuruan një performancë të nivelit të lartë: Fiona Shabani (Mezzo-soprano), Lirika Pula (Piano) dhe Albulena Bokshi (Aktore).

“Gjilani po dëshmon çdo ditë e më shumë se është një qendër e rëndësishme kulturore, ku arti dhe gjuha universale e muzikës na bashkojnë me vlerat më të larta evropiane”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit i bënë thirrje qytetarëve që të shtunën, më 28 mars të jenë sërish në teatër për shfaqjen ”Le Mensonge” (Gënjeshtra) në orën 20:00.

Nga ana tjetër ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, tha se për çdo vit në Kosovë mbahet “Java e Frankofonisë”, nder që sivjet i ka takuar Gjilanit si “Kryeqytet i Frankofonisë”.

You Might Also Like