Gjilan

Abdullah Tahiri me shokët luftuan për liri, dinjitet dhe të ardhmen e brezave

(Fjala e dr. sc. Sabri Tahiri në emër të familjes Tahiri me rastin e festës së Ditës së Shkollës së Mesme të Ultë “Abdullah Tahiri” në Malishevë të Gjilanit në përvjetorin e 27 të rënies në altarin e lirisë së Heroit të Kosovës Abdullah Tahirit.)
Të nderuar përfaqësues të shkollës, mësimdhënës, nxënës, bashkëfshatarë dhe të pranishëm,
Sot për familjen tonë është një ditë emocionesh të mëdha. Është dita kur kujtojmë me krenari dhe mall vëllain tonë, Abdullah Tahirin, i cili ra për lirinë e Kosovës, duke ia falur atdheut atë që kishte më të shtrenjtë – jetën e tij.
Për ne ka një domethënie të veçantë fakti që kjo shkollë mban emrin e tij. Në hapësirat e kësaj shkolle, në vitet e rënda të okupimit, Abdullahu zhvilloi shumicën e aktivitetit të tij politik e atdhetar me të rinjtë dhe aktivistët e fshatit. Ende sikur dëgjohet jehona e fjalëve të tij në tubimet me bashkfshatarë, kur kërkonte që krahas rezistencës paqësore të përgatiteshim edhe për luftë të armatosur, sepse ai besonte thell se Serbia e kuptonte vetëm gjuhën e forcës dhe gryken e pushkës.
Dhe pikerisht me djemtë e këtij fshati në fillim të viteve të ’90, Abdullahu formoi njësitet e para të UÇK-së në Zonen Operative te Karadakut, të cilët luftuan në Zona të ndryshme të Kosovës.
Abdullahu me shokët nuk luftuan për urrejtje, por për liri, dinjitet dhe të ardhmen e brezave që sot mësojnë në këtë shkollë.
Prandaj, mesazhi ynë për nxënësit është ky:
Nëse doni ta çoni në vend amanetin e Abdullahut dhe të gjithë dëshmorëve, mësoni sa më shumë, pajisuni me dije, aftësi dhe karakter, që nesër të bëheni të zotët t’i dilni zot atdheut tuaj.
Ndërsa për mësuesit dhe arsimtarët:
Vazhdoni të punoni me përkushtim me nxënësit tanë, sepse arsimi është themeli i shtetit. Jepuni nxënësve dije, edukatë dhe shkathtësi për jetën, por mbi të gjitha kultivoni tek brezat dashurinë për atdheun, respektin për lirinë dhe përgjegjësinë ndaj Kosovës.
Në emër të familjes Tahiri, ju falënderoj të gjithëve për respektin, kujdesin dhe nderimin që i bëni vazhdimisht emrit dhe veprës së Abdullahut.
Urime Dita e Shkollës!
Lavdi dëshmorëve të kombit!

You Might Also Like