Një shenjë komunikacioni e vendosur në pedonalen e Gjilanit paralajmëron se në të është e ndaluar lëvizja e veturave, motoçikletave, trotineteve me rrymë dhe biçikletave.
Mirëpo, te shumëkush moslejimi I qarkullimit të biçikletave ka ngjallur habi, ngase në çdo shtet promovohet ngasja e biçikletave në raport me mjetet tjera, ngase ato nuk ndotin ambientin, shmangin tollovitë në komunikacion dhe kanë më pak shpenzime, sikurse që janë të dobishme për shëndetin.
Kudo në botë, skaj trotuareve ku ecin këmbësorët, është pjesa e caktuar me vija e ngjyrë e veçantë për biçikleta, andaj një gjë e tillë ka mundur të bëhet shumë lehtë edhe në pedonalen e Gjilanit, e cila është mjaftueshëm e gjerë sa për të caktuar edhe një shteg për biçikleta.
Kjo hapësirë nuk mund të quhet shesh, ngase sheshi është një hapësirë e hapur publike, zakonisht më e gjerë, në të cilin grumbullohen njerëzit, organizohen aktivitete, ceremoni, koncerte, manifestime, ka gjelbërim, ulëse, monumente, shatërvanë dhe elemente të tjera urbane. Sheshi zakonisht shërben si një pikë qendrore e qytetit.
Në Gjilan, kjo pjesë në masë të madhe është pedonale, që është një pjesë rruge e dedikuar kryesisht për lëvizjen e këmbësorëve. Është e saktë se në pedonale ndalohet lëvizja e mjeteve motorike, por mund të lejohet ngasja e biçikletave. Përgjatë pedonales zakonisht gjenden dyqane, kafene, restorante dhe hapësira tregtare dhe funksioni kryesor i saj është lëvizja e sigurt dhe e lirë e këmbësorëve.
Në pedonale mund të lejohet lëvizja e biçikletave dhe ajo mund të projektohet si zonë e përbashkët për këmbësorë dhe biçikleta ose nëse ka sinjalistikë që e lejon qarkullimin e biçikletave. Ka shumë vende ku ngasje e biçikletave lejohet me orare të caktuara, ose ku çiklistët duhet të lëvizin me shpejtësi shumë të ulët dhe t’u japin përparësi këmbësorëve, andaj në Gjilan, ku vetëm në pjesën prej rrethit të sapondërtuar në drejtim të rrugës që shpie për Bujanoc, ku lirisht mund të lëvizet me biçiklete, pjesa tjetër është tejet e rrezikshme dhe e papërshtatshme.
Mbase në këtë kohë, kur në pedonale ka më shumë këmbësorë shkaku i ardhjes së mërgimtarëve një masë e tillë mund të arsyetohet përkohësisht, por të ndalosh tërësisht ngasjen e biçikletave nuk duket edhe aq veprim i arsyeshëm. /kryelajmi.com/.





