Gjilan

AAK solli kulturë të re politike në Gjilan

Cili ishte roli i AAK-së në qeverisjen komunale në Gjilan, ka qenë temë e debatit me zyrtarë të kësaj partie, që e ka organizuar Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan, gjë për të cilën kanë folur Rexhep Kadriu, nënkryetar i komunës, Selami Xhemajli, shef i grupit të këshilltarëve të AAK-së në AK të Gjilanit si dhe dy drejtorët komunalë, Nazim Gagica dhe Agim Zuzaku.

Rexhep Kadriu, nënkryetar i komunës së Gjilanit, ka theksuar se pas luftës, AAK asnjëherë nuk kishte qeverisur në Gjilan, andaj kësaj radhe kishin shprehur gatishmërinë që të bashkëqeverisin me LDK-në. Sipas tij, AAK kishte dy qëllime, që t’a ruaj fytyrën e AAK-së dhe të punojë për interes të qytetarëve.

“Bëmë shumë punë, shumë investime në infrastrukturë dhe gjithkund në të gjitha këto projekte ka pasur hise edhe AAK-ja”, ka thënë Rexhep Kadriu, i cili ka shtuar se AAK solli kulturë të re politike në Gjilan dhe se dy drejtorët e saj  patën rezultate të pakontestueshme.

Kadriu, tha se edhe kryetari i komunës, Lutfi Haziri i ka përkrahur idetë dhe propozimet e AAK-së dhe se në qeverisje ky subjekt politik i ka tejkaluar parashikimet. Ai përmendi trajtimin e ujërave të zeza, rrugët me shumë korsi, investimet në infrastrukturë, në rinovimin e ndërtimin e shtëpive e projekte të tjera, duke shtuar se në zgjedhjet lokale kanë fytyrë që të kërkojnë votën e qytetarëve.

Nazim Gagica, drejtor i Administratës së Përgjithshme, tha se në këtë drejtor pati rritje të cilësisë së shërbimeve, menaxhim të drejtë të resurseve komunale dhe se mbi 90 përqind u përmbush vizioni që e kishin, derisa drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, tha se punuan shumë, arritën shumë projekte, shlyen borxhet ndaj të gjithë operatorëve ekonomik dhe do të vazhdojnë edhe me projekte të tjera, derisa Selami Xhemajli, foli për punën e këshilltarëve komunalë dhe shtoi se punuan në të mirë të qytetarëve.

You Might Also Like