Gjilan, 14 prill 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nga sot, ҫdo qytetar që del në ambiente publike pa dorëza e maska, do të dënohet ashpër.
Ai njoftoi, po ashtu, se nese policia dhe inspekcioni komunal do të hasë në raste të shërbimeve e shitblerjes pas maska dhe dorëza, do të dënohet edhe marrësi edhe dhënësi i shërbimeve.
“Nga dje kemi hyrë në plan të ri operacional në Gjilan, në koordinim me të gjitha institucionet lokale dhe qendrore. Zbatimi i vendimeve është obligativ. Në rast se thyhet rregulli i daljes sipas numrit të letërnjoftimit, shkeljeve të rregullave në trafik, mos mbajtjes së distancës, mos pajisjes me maska e dorëza, dënimet do të jenë të ashpra, sipas ligjeve në fuqi. Mos na detyroni që t’i zbatojmë këto masa rigoroze që përfundojnë me procedura penale”, ka deklaruar Haziri, në konferencën për gazetarë të së martës.
Kryetari Haziri ka kërkuar nga qytetarët që të mos tentojnë të hyjnë e as të dalin nga zonat e karantinuara, siҫ është Vrapҫiqi, Lladova, Prishtina, Ferizaj, Vitia e Kamenica.
“Në të kundërtën, në kuadër të ligjit për sëmundjet ngjitëse, ai që e shkel këtë vendim, do të dënohet me gjobë mandatore që është shumë e lartë e deri në procedura penale e cila mund shkojë deri në 2 vjet burgim. Kujdes, mos të vije puna që qytetarët ta kalojnë pandeminë në burg”, ka deklaruar Haziri.