LAJME

Çezmat në Kosovë e ujin në Serbi

 

Në Malësinë e Karadakut dimrat janë më të ftohtë se në rrafsh e trashësia e borës është dukshëm më e madhe. Edhe bora e këtij fillimi të janarit banorëve të kësaj ane u solli telashe. Bora që ra mbi drunj i rëndoi ata e disa nuk i përballuan peshës, duke u rrëzuar dhe dëmtuan telat e largpërçueseve, kurse banorët e fshatrave më të thella kufitare ngelën pa energji elektrike. Kur bora zë e shkrihet, rritet niveli i ujit në lumin e Sllubicës e sivjet të reshurat ishin më të mëdha dhe shkatërruan rrjetin e ujësjellësit. Banorët e Sllubicës dhe të lagjes së Rekalinjëve pusin e ujit e kanë në lartësi, në afërsi të fshatit Maxhere, i cili është në brendi të territorit të Serbisë, derisa prej atje, nëpërmjet gypave uji vije në fshat.

Çezma në afërsi të xhamisë së fshatit Sllubicë, edhe gjatë verës kishte ujë në dy çepat e saj.

Banorët e këtushëm deklarohen se burimet e ujit janë në Serbi dhe ata kishin tentuar që të shkojnë atje për të rregulluar ujin, por se ishin penguar nga xhandarmëria serbe e cila rri në kufi dhe e cila i kishte kthyer prapa. Në këtë anë nuk ka ndonjë vendkalim kufitar dhe aty nuk mund të kalohet edhe pse Sllubica në Komunën e Gjilanit dhe Maxherja në Komunë të Preshevës nuk janë larg. Kufiri mund të kalohet vetëm nëpërmjet pikës kufitare të Muçibabës, apo asaj të Dobrasinit, të cilat prej këtu janë me dhjeta kilometra larg. Duke mos mundur të gjejnë zgjidhje, shqiptarët këtej kufirit kanë kërkuar ndihmë nga bashkëkombësit e tyre mëtanë kufirit, gjegjësisht nga fshati Maxhere, i cili është në kodër. Në Maxhere të Poshtme, vazhdojnë të jetojnë vetëm dy familje, ndërsa në atë të Epërmen jetojnë shtatë familje. Ato u zbrazën sidomos pas luftës së fundit dhe shumë banorë të tyre ia mësynë Gjilanit, Kumanovës, por ka edhe të atillë që dolën jashtë vendit.

Tahir Dalipi, mësimdhënës nga Gjilani, nuk le javë pa dalë në këto anë për të marshuar nëpër natyrën e virgjër dhe për të shijuar ajrin e pastër të kësaj ane. Ai thotë se gjithnjë ndalet te çezma afër xhamisë për të shijuar ujin, kurse për banorët e kësaj ane thotë se ndonëse ata bëjnë një jetë të vështirë, ata janë shumë të sjellshëm dhe e mirëpresin të gjithë që shkel në fshatin e tyre.

Në fshatrat e Malësisë së Karadakut ka banorë që nuk i lanë tokat e të parëve të tyre. Ata janë të vendosur të mbeten aty, por kërkojnë më shumë investime nga komuna, sidomos në rrugën e asfaltuar që është lënë në gjysmë dhe aty ku mungon asfalti qarkullimi është më i rëndë. Mbase, komuna ia ka borxh këtyre banorëve, ngase ata janë mbrojtësit më të mirë të kufirit./kryelajmi.com/.

 

 

You Might Also Like