Shkruan: Tahir Dalipi
1. Ka ndodhur, jo shumë herë, por ka ndodhur të më drejtohet arma gjatë kohës së pushtimit. Ama vetëm një herë ma ka prekur gjoksin tyta e automatikut, për të më shtyrë e larguar nga dera hyrëse e shkollës; isha mësues- mësuesit të “armatosur” vetëm me mjete mësimi, natyrisht, as atëherë e as tash bollshëm. Nuk jam i vetmi; ka shumë, shumë, shumë.
2. Derisa po qëndroja në korridorin e sallës plenare të Parlamentit të Serbisë, ku përfaqësoja qytetarët e Luginës së Preshevës, më afrohet një deputet opozitar, serb edhe ai, e më thotë: “ E mbajtët shkollën, ia dolët mbanë. Meqë këtu nuk dështuat, nuk ka forcë që të ju ndalë për ta mbërritur edhe lirinë dhe ta keni shtetin tuaj. Publikisht nuk guxoj ta them, por kokë më kokë po; sinqerisht jua dëshiroj fitoren, e këtë po ta thotë një beogradas i lindur e rritur në Beograd”
3. – Kush punoi pa rrogë në vitet e para të pushtimit klasik?- Mësuesi.
– Kush e quajti rrogë lëmoshën disavjeçare prej 20 markash? – Mësuesi ( sepse ishte djersë e kurbetçinjve dhe e popullit të stërmunduar).
– Kujt iu vodhën 16 rroga ( diç më domethënëse të muajve të fundit të pushtimit), e nuk i vajtoi aq? –Mësuesi ( sepse karshi dhembjes për nxënësit e kolegët e vrarë dhe gëzimit që na shpëtuan shumica, nuk e ndjeu të vlefshme të bëjë shamatë e potere).
– Kush i mësoi “gjenitë” e profesioneve jo-mësimdhënëse? –Mësuesi ( një i tillë nuk mund të ketë qenë student i dobët???!!!).
– Kush e ka fajin që gjuha shqipe është më e papërfillura që kur flitet? – Mësuesi?!- Jo. 1000 herë jo. E kanë qarqet e fuqishme që favorizojnë analfabetizmin. Edhe zogjtë e malit e dinë kush janë.
– Kush e ka fajin për “doktoraturat” tragjikomike? – Mësuesi?!- Jo.
Testi PISA megjithatë nuk pasqyron realitetin e shkollës sonë. Është tendencioz dhe ka qëllime jo-arsimore. Nuk do të thotë se nuk ka gjëra që duhet përmirësuar.