Shëndeti

Dr. Ismet Uruçi mbajti ligjëratë mbi Human Papilloma Vaksinën, e cila është shumë e rëndësishme në parandalimin e kancereve te femrat dhe meshkujt

Këtë të premte, në Gjimnazin Natyror „Xhavit Ahmeti” është mbajtur një ligjëratë me nxënës mbi Human Papilloma Vaksinën, e cila është shumë e rëndësishme në parandalimin e kancereve te femrat dhe meshkujt.

Ligjërues ka qenë doktori i njohur dr. Ismet Uruçi, nga Shërbimi i Vaksinimit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare – Gjilan, i shoqëruar edhe nga infermierja Violeta Sadiku.

Para nxënësve pjesëmarrës, ai ka theksuar se Human papillomavirus (HPV) është virus i zakonshëm, seksualisht i transmetueshëm që shkakton lytha gjenitale dhe kancere të llojeve të ndryshme si te femrat, ashtu edhe te meshkujt.

Ai tha se HPV te femrat është shkaktar i 99 përqind të kancereve të qafës së mitrës si dhe i kancereve të tjera të organeve gjenitale femërore, lythave gjenitalë dhe kancereve të tjera si të gojës, qafës. Derisa, te meshkujt shkakton kancer të anusit, zorrës së trashë, organit gjenital mashkullor, të zgavrës së gojës, të qafës e lythave gjenital.

Ai tha se HPVG përhapet nga personat e infektuar përmes kontaktit të drejtpërdrejtë lëkurë me lëkurë, marrëdhënieve seksuale ose me lëngje të trupit.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e vaksinës HPV e cila mbron nga kanceret dhe lythat gjenitale që shkaktohen nga Human Papilloma Virusi, i njohur më shumë HPV te të dy gjinitë.

Sipas tij, vaksina rekomandohet për personat nga mosha 9 deri në moshën 26- vjeçare dhe se në Kosovë kjo vaksinë nga viti 2024 është në kalendar të rregullt, obligativ të vaksinimit dhe jepet në moshën 11 dhe 12 vjeçare, përkatësisht në klasën e gjashtë të shkollës fillore.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka siguruar sasi shtesë të vaksinave  edhe për moshat 13 deri në 21 vjeçare dhe se atë mund t’a marrin të gjithë ata që lajmërohen në Shërbimin e Vaksinimit.

Dr. Uruçi ka deklaruar se Vaksina HPV është shumë e sigurt, efikase, jepet në pjesën e sipërme të krahut, nuk ndërhyn në cikël menstrual e as në ciklin riprodhues në shtatzëni.

“Vaksinimi në moshë të re siguron mbrojtje më të madhe për kanceret e shkaktuara nga HPV”, ka thënë doktori i njohur dr. Ismet Uruqi, nga Shërbimi i Vaksinimit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare – Gjilan, i cili është ndalë në bashkëbisedim me nxënësit pjesëmarrës, të cilët kanë shprehur interesimet e tyre.

You Might Also Like