Futboll

Drita dështon kur më së paku pritej

Po të shikohej tabela, dukej se Drita do të ketë një ndeshje të lehtë përballë Drenicës në krizë, por ekipit gjilanas realiteti i doli krejt ndryshe, ngase klubi nga Skënderaj i bëri një rezistencë të fortë dhe në fund arriti që të nxjerrë një pikë në Gjilan.

Lideri në tabelë cilësohej favorit në përballje me Drenicën, që po lufton për mbijetesë dhe rezultati shumë herët ka ndryshuar në dobi të Dritës.

Në minutën 29 ka shënuar Bujar Shabani, i cili ka shënuar gol të bukur për rezultatin 1:0. Drenica që pësoi gol e hapi lojën, bile edhe doli të shënojë nëpërmjet Zabërxhës, gol që u anulua me motivacion se sulmuesi drenicas ishte në pozitë jashtë loje. Për Dritën ka munduar të shënojë edhe Vucaj që gjuajti nga largësia, por që gjuajtjen e tij e priti portieri Ymeri.

Në minutën 42, Uka i Drenicës e shërbeu shumë mirë Baton Zabërxhën në brendi të zonës, i cili gjuajti saktë dhe mposhti Malokun për të barazuar rezultatin në 1:1, me të cilin edhe u mbyll pjesëloja e parë.

Në pjesëlojën e dytë kryetrajneri i Dritës futi në lojë edhe dy sulmues të tjerë, duke synuar që të jetë më i rrezikshëm në sulm, por me gjithë këto ndryshime dhe mbizotërimin në fushë, futbollistët bardhë e kaltër nuk arritën që të kenë ndonjë rast të mirë që do të duhej veçuar, derisa Drenica vazhdonte të mbrohej me sukses.

Vucaj në minutën e fundit pati rast të mirë, por gjuajti jashtë portës, kurse edhe përkundër që gjyqtari dha katër minuta deri në fund rezultati nuk ndryshoi, megjithëse në dy raste në fund të ndeshjes Shabani e Haxhimusa patën mundësi të shënojnë. Drita – Drenica 1:1.

You Might Also Like