Futboll

Drita ngadhënjen bindshëm

Rëndësia e pikëve ka bërë që Drita që nga minuta e parë të sulet drejt portës së Dukagjinit, kurse terreni i rënduar nga shirat e pandërprera ka sjellë vështirësi për të dy ekipet.

Drita që në minutën e parë ka rrezikuar nëpërmjet Krasniqit, por lojtari i Dritës pati një gjuajtje të plogësht. Mirëpo nuk shkoi shumë kohë dhe Drita erdhi në epërsi. Nga e majta ka shpërthyer Ajzeraj e në anën tjetër i vetmuar ishte Muja, që nga afërsia e futi topin në rrejte për 1:0. Në minutën 13, Simonovski nga afërsia për pak gjuajti jashtë portës.

Dukagjini rastin më të mirë e pati në minutën 19, nëpërmjet lojtarit të tyre Chibueze, por që për pak nuk ishte i saktë. Simonovski shpërdori një rast të mirë edhe në minutën 23, kurse një minutë më pas  rast të mirë shpërdori edhe Ajzeraj. Edhe një goditje e Mujës shkoi jashtë, kurse pas një ndërhyrje të ashpër në minutën 40 të Merlakut ndaj Ardian Limanit, sulmuesi dukagjinas u ndëshkua me karton të kuq dhe e ka ekipin e tij me 10 lojtarë.

Në lojën shtesë Ilir Syla në brendi të gjashtëmbëdhjetëmetërshit preku topin me dorë, andaj gjyqtari dha penalti. Almir Ajzeraj morri përgjegjësinë për të gjuajtur, por gjuajtjen e tij e kuptoi Kenan Haxhihamza, që me këmbë e dëboi topin dhe shpëtoi golin .

Në fushën e rënduar nga balta, me një lojtar më pak në fushë, Dukagjini e pati të vështirë t’i kundërvihet Dritës, andaj në minutën 62, Muja shënoi edhe golin e dytë të tij për rezultatin 2:0.

Mbizotërimi i Dritës në fushë ka vazhduar edhe në pjesën e mbetur të lojës, andaj në minutën 83 erdhi edhe goli i tretë të cilin e realizoi Blakçori. Dukagjinin në minutën 86 e ka shpëtuar shtylla e majtë e Muja në minutën 89 ishte i pasaktë.

Në minutën e katërt shtesë, Jashari nuk u tregua vetjak, ngase në vend që vet të shënojë ai pasoi për zëvendësuesin Tahiri, i cili nga afërsia futi topin në portën e zbraztë për 4:0.

You Might Also Like